Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, mori pjesë në homazhet në nderim të të rënëve të 22 majit 1999 në atë që njihet si Masakra e Vushtrrisë.
Së bashku edhe me kreun e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ata kanë takuar edhe familjarët e viktimave të cilët ishin të pranishëm në varrezat e martirëve.
Ambasadori O’Connell tha se viktimat, pa dallim etnie, meritojnë drejtësi.
“Çdo viktimë pa dallim nëse janë shqiptarë, serbë, rom, ashkali, boshnjakë meritojnë drejtësi. Por më shumë se çdo gjë ata meritojnë që përjetimet e tyre te tregohen dhe të pranohen”, tha ai.
O’Connell shtoi se pajtimi fillon duke treguar dhe dëgjuar të vërtetën, madje citoi edhe një grua që sipas tij kërkon drejtësi dhe jo hakmarrje.
“Ne duhet të kujtojmë dhe pranojmë atë se çka ka ndodhë në Kosovë. Unë isha i prekur me atë se çka më tha sot një grua që kishte humbur vëllain: ‘Ne nuk duam hakmarrje. Ne dëshirojmë drejtësi, që kjo mos të ndodhë më kurrë’”, përfundoi O’Connell.