Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë të shtunën në funeralin e një kleriku në Lahore të Pakistanit, pavarësisht vendimit të qeverisë së këtij vendi për ndalimin e tubimeve masive.
Kleriku Hussain Rizvi, 54 vjeç, vdiq nga sulmi në zemër të enjten, vetëm disa ditë pasi udhëhoqi një protestë të dhunshme drejt kryeqytetit Islamabad kundër publikimit të vizatimeve të profetit Muhamed në Francë.
Pas rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus, qeveria pakistaneze këtë muaj deklaroi se vendi është duke e përjetuar valën e dytë të pandemisë, prandaj i ndaloi tubimet e mëdha, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Sidoqoftë, dhjetëra mijëra persona morën pjesë në funeralin e klerikut Rizvi dhe organizatorët thanë se qeveria nuk ka kërkuar nga ta që ta kufizojnë numrin e pjesëmarrësve.
Zyrtarët qeveritarë nuk i janë përgjigjur kërkesës për komentim të kësaj ngjarjeje. Autoritetet i ndërprenë linjat e telefonit dhe i bllokuan rrugët për arsye sigurie.
Një zyrtar lokal, i cili kërkoi që të mos i publikohet emri, tha se vlerëson që në funeral kanë marrë pjesë rreth 200.000 persona. Grumbullimi i njerëzve ishte aq i madh, saqë trupi i të vdekurit nuk mund të bartej përmes turmës, por u vendos në një urë për t’ia kryer ceremoninë.
Ndryshe, Pakistani të shtunën i regjistroi shifrat më të larta ditore të infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19 që nga muaji korrik. Në 24 orët e kaluara, në këtë shtet u shënuan 2.843 infeksione të reja dhe 42 të vdekur.