Barcelona ka shkëlqyer në ndeshjen ku i është bërë nder legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona, që ka vdekur të mërkurën. Seria e golave e Martin Braithwaite ka vazhduar, ndërsa kanë realizuar edhe Antoine Griezmann, Philippe Coutinho e Lionel Messi.
Barcelona të dielën e mposhti Osasunan me shifrat 4:0, në kuadër të xhiros së 11-të të La Ligas. Por mbetet larg pozitës së dëshiruar në tabelë. Është e shtata me 14 pikë, kurse ka dy ndeshje më pak të luajtura.
Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim të ikonës argjentinase, Maradona. Ndërkohë superylli Messi u kujdes për të nderuar edhe më shumë Maradonën.
Ai shfaqi fanellën e Maradonës te skuadra Newell Old Boys gjatë festës së golit. Goli i Messit madje është krahasuar me një gol që Maradona e kishte shënuar në vitin 1993 në një ndeshje për Newellin.
Ishte 7 shtatori i vitit 1993 kur Diego Armando Maradona bëri rikthimin e tij në futbollin argjentinas, duke veshur fanellën e Newellit në një miqësore ndaj skuadrës nga Ekuadori, Emelec. Maradona kishte shënuar në fitore, ndërsa nga tribunat dëshmitar i atij momenti historik kishte qenë Lionel Messi, superylli aktual i futbollit.
“Nuk kujtoj shumë, isha shumë i ri, por e kam parë Maradonën në fushë, në ditën kur ai debutoi ndaj Emelec”, kishte thënë Messi.
Të dielën Messi ka publikuar një fotografi të tij përkrah fotografisë së Maradonës. Të dy mbanin duart lart në fotografi.
“Ishte gjë e madhe në secilin kuptim”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, për golin dhe festën e veçantë të Messit.
“Këto janë gjëra të një lojtari të madh, së pari për lojën e golin e më pas për veprimin e jashtëzakonshëm për Maradonën. Nuk e kam ditur se Messi do të veprojë ashtu”, ka theksuar Koeman.