Ylli i Kosovës, Milot Rashica, do të mungojë deri në janar, pas lëndimit të kofshës.
Klubi i Rashicës, Werder Bremen, në faqen në Facebook, ka konfirmuar lëndimin e sulmuesit.
“Milot Rashica ka marrë një lëndim të kofshës që do ta mbajë jashtë fushës deri në fund të janarit. Shërim të shpejt Milot”, ka shkruar Werderi.
Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt. Rashica u dëmtua të martën në stërvitje, ndërsa të mërkurën gjatë ditës pati shpresa se nuk bëhet fjalë për lëndim të rëndë. Sidoqoftë, pas testeve më të thella e që dolën të mërkurën pasdite, u bë e ditur se sulmuesi i Kosovës do të mungojë për një kohë më të gjatë.
“Më vjen shumë keq për Milotin sepse ai ishte vërtetë në gjendje të luajë pas dëmtimit të tij të fundit dhe po e merrte formën. Është lajm i keq që ai do të na mungojë për një kohë më të gjatë pasi është futbollist cilësor”, deklaroi Kohfeldt. Rashica ishte afër largimit nga ekipi në afatin kalimtar veror, ndërsa pati shpresa nga Werderi se do të fitojë para nga shitja e Rashicës në afatin kalimtar të janarit.
24-vjeçari tani pritet të mbetet deri në verë te skuadra e Werder Bremenit. Ekipi nga Bundesliga për shërbimet e Rashicës kërkonte rreth 20 milionë euro. Kontrata e Rashicës me Werderin skadon në vitin 2022. Në edicionin e sivjetë, Rashica i ka luajtur 5 ndeshje me gjithsej 279 minuta, dhe ka regjistruar vetëm një asistim.