Asambleja Kombëtare e Francës e ka miratuar të enjten rezolutën që i bën thirrje qeverisë për ta njohur rajonin e Nagorno-Karabakut, që gjendet brenda të territorit të Azerbajxhanit, si republikë.
Pas miratimit në Senat muajin e kaluar, kjo rezolutë, që ka vlerë simbolike, u miratua me 188 vota të deputetëve. Asnjë deputet nuk ishte kundër saj, ndërsa 16 abstenuan në votim, shkruan Anadolu.
Me këtë rezolutë i bëhet thirrje qeverisë që ta njohë të ashtuquajturën “Republikë e Nagorno-Karabakut” dhe ta rivlerësojë procesin e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian për shkak të rolit të saj në konfliktin e Nagorno-Karabakut.
Franca është kritikuar për braktisjen e rolit të aktorit neutral dhe për përkrahje të Armenisë në konfliktin për Nagorno-Karabakun, pavarësisht se është një ndër tri shtetet anëtare të Grupit të Minskut, i formuar nga OSBE-ja për zgjidhjen e krizës.
Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, e refuzoi thirrjen për njohjen e Nagorno-Karabakut si shtet, duke thënë se vetë Armenia nuk ka kërkuar një gjë të tillë.
Ai gjithashtu theksoi se nëse merret një vendim i tillë, Franca do ta largojë veten nga Grupi i Minskut dhe do të heqë dorë nga roli i ndërmjetësueses.
Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, armenët etnikë e kishin shpallur të ashtuquajturën “Republika e Artsakut”, por ky shtet nuk është i njohur nga asnjë vend anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe ka raporte vetëm me Armeninë.