Sulmuesi kosovar i Varbergsit, Astrit Selmani është zgjedhur lojtari më i mirë për muajin nëntor në kampionatin elitar të Suedisë, Allsvenskan.
Ai bëhet lojtari i parë që ka fituar çmimin e më të mirit të muajit në kategorinë e dytë dhe të parë të Suedisë.
Në kategorinë e dytë, Superetttan, ishte shpallur më i miri për muajin prill të vitit 2019.
Në nëntor, Selmani shënoi gjashtë gola dhe kontribuoi me një asistim për Varbergsin që fitoi nëntë pikë dhe siguroi mbetjen në Allsvenskan për vitin 2021.
23-vjeçari këtë edicion në 28 ndeshje në të gjitha garat shënoi 17 gola dhe asistoi për tetë të tjerë. Për Selmanin e po ashtu edhe klubin e tij, është hera e parë që garojnë në elitë.
“Astrit Selmani është një lojtar tepër i rëndësishëm për Varbergsin, që ka siguruar shumë pikë në raundet e fundit dhe e ka mbajtur barrën kryesore gjatë gjithë vitit në klub. Selmani është arsyeja pse Varbergs do të vazhdojë të luajë në Allsvenskan edhe në vitin 2021”, thuhet në arsyetimin e jurisë, njofton të dielën faqja zyrtare e kampionatit elitar të Suedisë.
Selmani, që ka shprehur interesim të luaj për Kosovën, me skuadrën suedeze ka kontratë deri në fund të vitit 2021. Gjasat që ai të largohet janë të mëdha.
Kampionati në Suedi përfundoi të dielën. Varbergs humbi në xhiron e fundit nga Djurgarden (1:0). Selmani mungoi pasi ishte i suspenduar për shkak të kartonëve. Me 15 gola ai ishte realizatori i dytë më i mirë në elitë.