Janusz Bugajski, ekspert në Fondacionin Jamestown në Uashington, tha se administrata Biden duhet t’i bindë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën.
Ballkani ishte në qendër të një seance të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.
Ekspertë të Ballkanit i bëjnë thirrje administratës së ardhshme të drejtuar nga Joe Biden që të shtojnë vëmendjen ndaj Ballkanit dhe të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian për të zgjidhur problemet e mbetura në rajon.
“Qëllimi i bisedimeve Serbi-Kosovë duhet të jetë krijimi i një harte për njohjen ndër-shtetërore. Kjo është zgjidhja e vetme e qëndrueshme që do t’i çlirojë të dyja vendet të ndjekin aspiratat e tyre drejt integrimit në BE dhe zhvillimit ekonomik. Dialogu pa një qëllim të qartë shpërqendron dhe paralizon të dyja palët”, ka deklaruar Janusz Bugajski duke thënë se pa përfshirjen amerikane, BE është një bashkëbisedues më i dobët, më i përçarë dhe me më pak ndikim.
Bugajski tha se takimi në Shtëpinë e Bardhë në shtator me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës në Shtator riangazhoi Uashingtonin në dialog.
“SHBA nuk mund të përqendrohet thjesht tek faktorët ekonomikë dhe të neglizhojë vendimet kryesore politike dhe diplomatike. Marrëdhëniet ekonomike nuk do të normalizohen nëse marrëdhëniet politike dhe diplomatike mbeten anormale”, tha ai.