Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur mosdekretimin e ligjit për Buxhetin faktik të vitit 2019.
Në një deklaratë mbi mosdekretimin me shpallje të ligjit “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2019”, Presidenti është shprehur se, “nga shqyrtimi i përmbajtjes së këtij ligji, në raport me dokumente dhe të dhëna të tjera zyrtare mbi zbatimin e buxhetit të shtetit (2019), veçanërisht konstatimet nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi zbatimin e tij, Presidenti i Republikës, sjell në vëmendje të Kuvendit, qeverisë, si dhe vë në dijeni edhe qytetarët mbi disa problematika të theksuara, që lidhen me planifikimin dhe zbatimin buxhetor”.
“Në kushtet kur bëhet fjalë për një ligj që miraton buxhetin faktik, si dhe duke pasur në konsideratë sjelljen vijuese të Kuvendit ndaj çështjeve kaq delikate, kthimi i këtij ligji për rishqyrtim në Kuvend, nuk do të përbënte ndonjë ndryshim thelbësor. Për këtë arsye Presidenti i Republikës ka vlerësuar ta lërë në heshtje këtë ligj, por duke kërkuar vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për të marrë masa, për të mos lejuar përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin”, ka shtuar Meta.
Ai fton Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë të reflektojnë mbi disa mangësi në realizimin e treguesve fiskalë.
“Raporti i buxhetit faktik tregon mosrealizimin e treguesve fiskalë të buxhetit të vitit 2019, për shkak të mungesës në vazhdimësi të një planifikimi joreal të të ardhurave publike dhe, për rrjedhojë, edhe të shpenzimeve buxhetore”, ka nënvizuar Meta.
“Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit, gjatë vitit 2019, janë realizuar në vlerën 460,349 milionë lekë, nga 486,677 milionë lekë të planifikuara ose 94.6% ndaj planit të rishikuara. Të ardhurat tatimore janë realizuar në masën 95.1%”, ka theksuar ai.
“Mosrealizim të lartë kanë treguar të ardhurat nga ndihmat, që janë realizuar në masën 8,811 milionë lekë kundrejt 15,500 milionë lekëve të planifikuara, ose 56.8 % ndaj planit. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, për vitin 2019, u realizuan në vlerën 491.897 milionë lekë, nga 519.577 milionë lekë të planifikuara sipas Aktit Normativ nr.11, datë 24.12.2019 dhe planit fillestar; pra, këto shpenzime janë realizuar 27,680 milionë lekë më pak se planifikimi ose e shprehur në përqindje, në masën 95%”, ka thënë Meta.
“Shpenzimet kapitale kanë treguar një mosrealizim të lartë në vlerën 74,993 milionë lekë nga 86,138 milionë lekë të planifikuara ose e shprehur në përqindje, në masën 85.7%. Raportime të ndryshme të nivelit të deficitit buxhetor, të detyrimeve të prapambetura dhe të borxhit publik, ndërmjet buxhetit faktik dhe raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, vijuar Meta.
“Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, deficiti buxhetor në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, rezulton në masën 1.87%, brenda kufirit prej 2%. Sipas raportit të KLSH-së, raportimi i zërave në pasqyrën e konsoliduar të treguesve fiskalë, vijon të mbetet formal, duke mos reflektuar saktë dhe në mënyrë të plotë nivelin real të shpenzimeve buxhetore dhe, për pasojë, edhe deficiti vjetor, i cili sipas KLSH-së, bazuar në një vlerësim të kujdesshëm, për vitin 2019, arrin në 2.27% të PBB-së. Niveli më i lartë i deficitit buxhetor është në shkelje të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë për vitin 2019”, ka thënë Meta ndër të tjera./ATSH/