Regjisori i njohur Robert Budina i pranishëm sot në protestën e dytë të qytetarëve pas vrasjes së Klodian Rashës, ka shpërthyer ndaj efektivëve të FNSH-së, e me lot në sy “ia ka zbrazur të gjitha”.
Policët pranë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit’ po përpiqeshin të shtynin protestuesit dhe t’i largonin, ndër to dhe Budinën.
Kjo gjë e ka agravuar situatën dhe ka bërë që Budina të “shpërthejë” në të bërtitura, por i emocionuar dhe me lot në sy. Sipas tij, është faji i autoriteteve që protestuesit qëllojnë me sende të forta, ndërkohë që duhet të protestojnë me mjete demokratike.
“Çfarë bëni kështu more çfarë bëni? A keni zemër? Kam që në 90 që dal. Çfarë i kemi bërë këtyre njerëzve? (policëve) Më shihni gjë të armatosur. A keni vëllezër a keni motra? E kam çu fëmijën jashtë shtetit prej jush (i drejtohet FNSH). Si po e shtyni ju intelektualin? Ku e gjeni kurajon? T’ju vijë turp t’ju vijë. Kam 4 vjet që them do fitojmë me kulturë dhe me mjetet e demokracisë, ju i detyroni njerëzit të gjuajnë me gurë, ju i keni detyruar more”, tha Budina.
Ndërkohë protestuesit janë mbledhur sërish, duke bërë thirrje “Poshtë Komunzimi” dhe “Drejtësi për Klodianin”. Ata po thyejnë çdo gjë që u del përpara, ndërkohë që koshave të plehrave në rrugë u kanë vënë flakën.

