Akuzave të kryeministrit Rama se ka qëndruar në prapaskenë të protestave për Klodian Rashën, presidenti Meta i është përgjigjur gjatë konferencës të përbashkët me homologen Vjosa Osmani. Meta tha se ai nuk është as tinzar dhe as palaço dhe kur të organizojë një manifestim ai do të jetë publik dhe do të jetë i fundit për dhunën kundër qytetarëve.
“Qytetarët shqiptarë e dinë shumë mirë që nuk kanë krye të shtetit një president tinzar dhe as palaço. Kanë një president që kur e thotë një fjalë e çon deri në fund. Presidenti ka kryer një manifestim aty me mimoza, model. I ka bërë vetëm një thirrje popullit dhe populli iu përgjigj.
Nuk merret presidenti me inskenime dhe maskarada të tilla. Gjej rastin të përshëndes dhe solidarizohem me të gjitha institucionet ndërkombëtare, mediave, Këshillin e Europës që dënojnë dhunën ndaj gazetarëve dhe i bëj thirrje qeverisë të heqë dorë nga intimidimi i mediave.
Së dyti, solidarizohem me UNICEF dhe organizatat ndërkombëtare që shprehin shqetësimin për dhunën ndaj të miturve që ju e keni vënë re dhe në këtë drejtim të jeni i sigurt që nëse do ketë manifestim tjetër nga presidenti do ketë një dhe vetëm një, dhe do jetë publik dhe do jetë manifestim kundër dhunës dhe për ti dhënë fund dhunës kundër të drejtave të qytetarëve shqiptarë” u shpreh Meta.
Më herët Rama kishte akuzuar Metën se qëndronte pas protestave që kërkonin drejtësi për Klodian Rashën dhe sipas tij, provë e kësaj ishte qëndrimi në heshtje i presidentit.
“Presidenti akoma nuk e ka dënuar dhunën, akoma nuk është kujtuar t’i thotë një fjalë kësaj familje dhe del një orë përpara lajmit se po vjen fundi i botës nga kjo lukuni që ngre gishtin ndaj policisë. Prova janë fjalët e Presidentit të Republikës së bashku me ish-Presidentin që sot e gjithë ditën është krenar që ka vrarë njerëz dhe u tregon shqiptarëve se dhuna është rruga për të ecur përpara. Prova janë ata minorenë që janë manipuluar dhe abuzuar. Dhe patjetër edhe të joshur edhe me para për të marrë rrugët” ka deklaruar Rama më herët.