Publikohet historia e panjohur të Ndue Marashit, ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cili në datën 16 dhjetor të vitit 1975, u gjet i vdekur nga një plumb pistoletë në një nga dhomat e vilës së tij (tek “Shkolla e Kuqe”), rrethanat e së cilës nuk janë zbardhur ende edhe sot pas 45 vitesh.
Dëshmia e rrallë e të birit të tij, 62 vjeçarit Xhovalin Marashi që banonon prej vitesh në Belgjikë, i cili dëshmon për herë të parë publikisht, të gjithë historinë e panjohur të babait të tij dhe familjes Marashi, duke filluar nga: origjina e tyre, ardhja në Tiranë, puna, shkollimi, diplomimi dhe karriera e Ndues fillimisht në Kamzë e më pas në koopertativën e Kasharit, Komitetin e Partisë së Rajonit Nr. 4 dhe më pas si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku ai shërbeu nga viti 1973, deri në 16 dhjetorin e vitit 1975, kur Xhovalini me vëllanë më të vogël, Vlashin, e gjetën të atin e tyre të përgjakur në minutat e fundit të jetës dhe autobulanca që ata njoftuam me telefon, erdhi pas vetëm 45 minutash?!
Rrëfimi Xhovalinit edhe për miqësitë që kishte babai i tyre me një pjesë të udhëheqjes së lartë si: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Fadil Paçramin dhe Myslym Pezën, apo të tjerë me poste e funksione më të ulta si: Irakli Bozo, Abedin Çiçi, Mark Dodani, Hazbi Lamçe, Demlush Thaçi, Fadil Lamin, Halim Stërmasi, Ilir Gjylbegu, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Bert Jashari, Miti Dheodhosi etj.
Si u realizua skema e ekzekutimit të Ndue Marashit, kush ishin njerzit që e sulmonin atë në Byronë Politike dhe ata që Sigurimi i Shtetit i angazhoi për eliminimin fizik të tij dhe përse i biri i tij, Xhovalini, e përjashton që ajo gjë është bërë me dijeninë e Enver Hoxhës, për të cilin shprehet se është një nga njerzit që e ka dashur shumë Nduen dhe ai së bashku me Nexhmijen dhe të birin e tyre, Ilirin, kanë bërë shumë për familjen Marashi, duke filluar nga…?!
Pas publikimit të disa shkrimeve nga Memorie.al në dy numrat e kaluar, lidhur me historinë e ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe deputetit të Kuvendit Popullor, Ndue Marashi, i cili plot 45 vjet më parë, në mesditën e 16 dhjetorit të vitit 1975, u gjet pa jetë në një nga dhomat e vilës së tij që ndodhet edhe sot diku pranë “Shkollës së Kuqe”, ku sipas versionit zyrtar, të dhënë me anë të komunikatës që u publikua të nesërmen në shtyp, ai kishte bërë vetëvrasje, Memorie.al i rikthehet përsëri kësaj historie.
Kjo ngjarje e rëndë e cila nuk kaloi pa zhurmë edhe në atë kohë që ndodhi, pasi po t’i referohemi versionit zyrtar, ishte hera e parë pas shumë vitesh që ndodhte një vetëvrasje nga një funksionar i lartë i shtetit,(kemi parasysh, në vitin 1947 Nako Spiron, ish-Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, që ‘de jure’, ishte kryeministri i vëndit dhe më pas në vitin 1956, Omer Nishanin, Presidentin e Shqipërisë, apo siç quhej në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor), dhe sipas moralit komunist, e gjithashtu ligjeve në fuqi, vetëvrasja konsiderohej vepër armiqësore dhe personi që bënte një gjë të tillë, aq më shumë kur ishte me funksione zyrtare, në rastin më të mirë konsiderohej “disfatist e kapitullant”, ndryshe etiketohej si: “tradhëtar dhe armik i popullit”!
Nisur nga këto, edhe për Ndue Marashin nuk u bë asnjë përjashtim nga regjimi komunist i asaj kohe dhe mbi të ranë të gjitha akuzat si “armik i popullit” etj., dhe familja e tij u dëbua nga Tirana dhe u persekutua deri në shëmbjen e regjimit komunist. Lidhur me këtë ngjarje dhe misteret që ajo mbart ende, është shkruar pak vetëm pas viteve ’90-të dhe në 2018-ën, u realizua një dokumentar televiziv nga Radio-Televizioni Publik Shqiptar, ku familjarë të Ndue Marashit, dhanë versionet e tyre lidhur me atë ngjarje.
Nisur edhe nga fakti, se më datën 16 dhjetor, u mbushën 45 vjet nga dita që Ndue Marashi humbi jetën në rrethana tragjike dhe ajo ngjarje ende mbetet e mbuluar me mister, Memorie.al u kontaktua nga z. Xhovalin Marashi, (djali i madh i Ndue Marashit), që prej vitesh jeton familjarisht në Belgjikë, i cili pasi i shprehu falenderimet redaksisë sonë për artikujt e botuar për babanë e tij, u tregua i gatshëm gjithashtu edhe për të dhënë një intervistë të gjatë dhe ekskluzive për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, shumë nga anët e panjohura të asaj historie që lidhet me emrin e Ndue Marashit dhe familjes së tyre, intervistë të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.
Zoti Xhovalin, para se të flasim për ngjarjen e 16 dhjetorit të vitit 1975, t’ju kthehemi edhe njëherë miqësive që kishte babai juaj, Ndue Marashi, për të pasur një ide më të qartë lidhur me konjukturat dhe klanet në udhëheqjen e lartë komuniste të asaj kohe, që ndikuan apo nxitën në eliminimin e tij?
Siç thashë dhe pak më lart, pas kolonel Myslym Ketës që ishte dhe deputet i Kuvendit Popullor dhe vdiq apo më saktë e eleminuan në vitin 1966 me një “aksident automobilistik”, me të cilin babai ishte shumë shok, Fadil Paçrami, ka qenë një nga miqtë e tjerë të ngushtë të Ndues, pasi mesa mbaj mënd, Fadili ka qenë edhe deputet në zonën e Kamzës, ku babai pati filluar punë fillimisht dhe kishte lidhje të shumta, pasi aty banoi për një kohë të gjatë familja e gjyshit tonë. Aq miqësi kishte babai me Myslym Ketën, saqë kur vdiq gjyshi, ai e varrosi ngjitur me varrin e Lymit në Tufinë (te parcela e njerëzve të nderuar nga pushteti i asaj kohe), por pas vdekjes së babai tonë, Ndues, varrin e gjyshit tonë e hoqën që aty. Përveç miqësisë që babai kishte me Fadil Paçramin, gjë e cila vinte edhe prej origjinës së tyre si shkodranë, mamaja jonë, Françeska, ishte shumë shoqe me gruan e Fadilit, Violetën, dhe ato kanë qenë bashkë për kurim në Itali për disa muaj. Të dy prindërit tanë, Nduja me Françeskën, flisnin shumë mirë për familjen Paçrami, edhe pasi ata u goditën nga regjimi komunist, pra që në vitin 1973-’74, një vit e ca para se të ndodhte ngjarja me babanë tonë.
Të kthehemi tek ngjarja e datës 16 dhjetor e vitit 1975, ku ndodheshit ju atë ditë dhe si e kujtoni?
Atë ditë, pra më 16 dhjetor 1975, ka qenë ditë e martë e unë ndodhesha në mësim, pasi vazhdoja shkollën në gjimnazin “Ismail Qemali” në vitin e tretë. Po kështu edhe vëllai, (Vlashi që ishte tre vjet më i vogël se unë), ishte po në mësim, pasi ndiqte vitin e parë në një shkollë me mua aty te “Ismail Qemali”.
Kush ju lajmëroi dhe kur shkuat ju në shtëpi?
Mua erdhi dhe më lajmëroi te shkolla, komshiu ynë, Ramazan Akshia, moshatar me vëllanë tim, Lulin. (Ata ishin një familje shumë e varfër me shtatë fëmijë, por njerëz të shkëlqyer dhe babai jonë Nduja e të gjithë ne, i donim shumë e shkonim shumë mirë me ta). Nisur edhe nga ky fakt, Ramazani erdhi me vrap dhe më lajmëroi te shkolla dhe bashkë me Xonin, unë shkova me vrap në shtëpi, diku aty nga ora 11 e paradites. Mua nuk më lejuan të futesha brenda, pasi shtëpia dhe pothuaj edhe gjithë lagjia jonë, ishte rrethuar nga njerzit e Sigurimit të Shtetit dhe policë, civilë dhe me uniforma. Pak para meje, punë dhjetë minutash, aty kishte shkuar dhe mamaja, Franceska, të cilën gjithashtu nuk e kishin lejuar të futej brenda, edhe pse ajo qante dhe bërtiste me të madhe, madje duke i sharë ata.
Çfarë u thoshte mamaja atyre?
Në fakt, ato që u thoshte mamaja, nuk ishin sharje, por akuza, pasi ajo u thoshte atyre: “Vrasës”, etj.
Ku punonte në atë kohë mamaja juaj dhe kush e kishte njoftuar për atë që kishte ndodhur?
Mamaja, Franceska, në atë kohë punonte si drejtoreshë e Çerdhe-Kopshtit të fëmijve nr.49 dhe atë e kishte njoftuar Luli me telefon, jo nga shtëpia jonë, por nga shtëpia e komshies sonë, Olimbi Mici dhe nëna kishte ardhur me një frymë aty. Po kështu, pas mamasë, Luli ka thërrit edhe gjyshen që punonte në Klinikën e Udhëheqjes dhe gjyshja ka mbërritur aty para mamasë. Pas gjyshes, ka mbërritur edhe xhaja jonë, Zef Marashi, që jeton ende në Tiranë.
Po kush kishte shkuar i pari nga familja juaj në shtëpi?
E para aty ka shkuar halla jonë Dila (motra e Ndues), e cila nuk dinte gjë se çfarë kishte ndodhur, por pasi ishte në dijeni se babaj me mamanë, do të iknin me pushime në Vlorë, ajo kishte ardh me u taku me ta dhe teksa po afrohej te porta e shtëpisë, ajo pa dy persona të panjohur që u larguan me shpjetësi me një motorrçikletë!
Po Lulin kush e kishte lajmëruar dhe kë kishte gjetur aty në shtëpi?
Luli kishte shkuar krejt rastësisht, pasi kishte pasur një orë pushim se mungonte një mësuese. Luli na tregoi më vonë, se ndërsa ai ishte duke hyrë në shtëpi nga porta kryesore që ishte e hapur, vuri re se nga shkallët po zbrisnin dy ushtarë me uniforma të Gardës së Republikës (dalloheshin nga veshjet me çizme dhe qillota) dhe një grua me pallto të kuqe pas tyre, që zbriste me nxitim.
A kishte komunikuar Luli me ta?
Luli ishte i vogël në atë kohë, (siç ju thashë nuk i kishte mbushur 15 vjeç) dhe as ata s’e njihnin se kush ishte dhe as ai nuk i njihte. Por Luli na tregoi, se ajo gruaja kishte pika gjaku në fytyrë!
Po kur hyri në dhomën ku ishte babai, pa njerëz të tjerë aty?
Kur hyri Luli në dhomë dhe pa skenën e tmerrshme, pra babanë me plagë plumbi pistolete, i cili ende lëvizte ashtu i shtrirë, u tmerrua dhe nisi të qante me të madhe. Para Lulit, siç ju thashë aty ka shkuar halla jonë, Dila dhe më pas kishte shkuar edhe gjyshja jonë, e cila u mundua që t’i bënte frymëmarrje Ndues, por çdo gjë ishte e kotë, pasi babai kishte mbaruar.
Po ndërsa babanë tuaj, Nduen, halla Dila dhe Luli e gjetën me frymë, a u njoftua ambulanca?
Me telefonin e shtëpisë (sipas numratorit që kishim), ata që ishin në shtëpi brenda, pra halla Dila, xhaja Zefi dhe gjyshja Drane, njoftuam Klinikën Speciale të Udhëheqjes, por autoambulanca me mjekë e infermierë, ka ardhur aty vetëm pas 45 minutash dhe ata s’bënë asnjë gjë, pasi gjithçka kishte mbaruar!
Po përveç atyre të Klinkës Speciale, kush erdhi tjetër aty pas tyre?
Erdhi grupi hetimor me ekspertët mjeko-ligjor që kryen akt-ekspertimin dhe ajo u bë vetëm në praninë e ne dy fëmijëve, pra unë pa mbushur ende 17 vjeç dhe Luli pa mbushur 14. Pra akt-ekspertiza e grupit hetimor për ngjarjen e ndodhur, edhe pse babai ishte një funksionar i lartë, si deputet i Kuvendit Popullor, anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH-së, dhe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, pra një personalitet shumë i njohur, u bë vetëm ne prezencën e ne dy fëmijëve dhe pa praninë e nënës sonë, Françeskës, (të cilën nuk e lanë të hynte fare në shtëpi), apo të xhaxhait, Zefit etj.
Po nga funksionarët e lartë të Policisë, nuk erdhi njeri në ato momente?
Erdhi vetë Nustret Dauti, Drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, (ai ishte kushëri i parë i Ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbi Dautaj), pra ai ishte kryesori nga ata që erdhën aty. Nga telefoni i shtëpisë, në prezencën time dhe të vëllait, Lulit, ai u lidh në telefon me Manush Myftiun dhe ne e dëgjuam që i tha: “Jo jo shoku Manush, unë mendoj që është më mirë të mos vini, pasi…” dhe e ndërpreu bisedën, se si duket e pa që ne po dëgjonim.
A erdhi Manush Myftiu aty?
Jo jo nuk erdhi.
Po me Nustret Dautin, ça raportesh kishte pasur babai juaj, Nduja, kishte miqësi me të?
Në parantezë desha të them, se përveç Mark Dodanit, që babai e kishte shumë mik, (nuk e di se ca lidhje miqësore kishin, se edhe Marku ishte nga një fshat që e kapte Qarku i Shkodrës), me ata të Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe të Sigurimit të Shtetit, babai nuk kishte asnjë lidhje apo miqësira, përkundrazi nuk i donte dhe nuk i përfillte shumë ata. Po kështu edhe me Nustret Dautin, jo vetëm që nuk kishte miqësi, por përkundrazi kishte pasur debate dhe përplasje me të, për arsye të një apartamenti që Nusreti kërkonte t’ja jepnin atij dhe babai nuk ja kishte dhënë.
Konkretisht, për çfarë apartamenti bëhej fjalë?
Nusreti në atë kohë banonte te Shallvaret në një apartament (dy dhoma e një guzhinë) dhe kishte bërë kërkesë dhe pretendonte të merrte një apartament tjetër me hapësira më të mëdha që ishte te një pallat te Mapo në fillim të “Rrugës së Dibrës”. Mirpo, babai Nduja, nuk kishte qenë dakort, pasi atë apartament do t’ja jepnin Dr. Ilir Gjylbegut, pasi ai jo vetëm që kishte dy fëmijë (djalë e vajzë) por kishte nevojë edhe për studio, ndërsa Nusreti, nuk kishte fëmijë dhe s’kishte nevojë për zgjerim.
Po Dr. Ilir Gjylbegun, Nduja e kishte mik?
Po e kishte shumë mik, por shtëpinë nuk ja dha si mik, por pse i takonte. Babai ishte njeri parimor dhe nuk e shfrytëzonte kurrë postin për miqësira, pasi siç ju thashë më lart, miqtë shokët dhe miqtë e babait ishin kryesisht nga shtresa e thjeshtë, punëtorë dhe fshatarë
Të kthehemi tek ngjarja, pse ndodhej në shtëpi në atë orë babai, pra pse nuk kishte shkuar në punë…?!
Babai atë ditë ka qenë në punë si zakonisht dhe atje nuk e ka ndier veten mirë dhe është kthyer në shtëpi.
Ka takuar njeri para se të futej në shtëpi?
Siç u thashë pak më lart, babai ka qenë një njeri shumë popullor dhe mjaft i komunikueshëm me të gjithë. Kështu, pak para se të hynte në shtëpi, ai ka parë nënën e Shefqet Sheshit, (një familje e shkëlqyer tiranase me të cilën ne shkonim shumë mirë), Ijen siç e thërrisnin dhe pasi është përshndetur me të, ajo e ka pyetur, Nduen, duke i thënë: “Ca mi none, je pa qejf”?!
Si i është përgjigjur Nduja?
Babai i ka thënë: “Nuk e di Ije, por piva një kafe në zyrë, po më bëri keq dhe më merren mënt” dhe është futur në shtëpi. Dhe pas 10-15 minutash, Ija, ka dëgjuar krismën e pistoletës dhe doli te dera e shtëpisë, ku ka parë dy ushtarët e Gardës duke dal me të shpejtë dhe ata i kanë bërtitur asaj: “Futu brenda shpejt, moj plakë shtrigë se…”, dhe e kanë sharë. Dhe për ato fjalë që na tregoi Ija ne, i’a shkatërruan të gjithë familjen…!
Para se të dalim aty, pra te problemet e pasojat që patën nga regjimi komunist, familja juaj, të afërmit apo fqinjët tuaj etj., desha t’ju pyes, po shërbyesja, pra ajo gruaja që punonte te ju, ku ndodhej kur ndodhi ngjarja?
Do t’ua thosha vetë edhe pa më pyetur ju në lidhje me shërbyesen që ishte caktuar te shtëpia jonë, pasi ajo është një nga personat kyç të asaj ngjarje, pasi….?!/Memorie.al