Marrëveshja e re e ekstradimit mes Shqipërisë e SHBA për ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim do të thotë fund i pandëshkueshmërisë ndaj kriminelëve.
Në Tiranë u nënshkrua të martën, (22.12) marrëveshja dy palëshe e ekstradimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (SHBA) nga Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ambasadorja Yuri Kim, e cilësoi marrëvëshjen “një traktat që siguron një kornizë për t’u përballur me krimin”. “Ky traktat siguron një armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve, që fshihen pas kufirit. Personat e kërkuar për ndjekje penale për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati. Shpresoj që ajo do zbatohet shumë shpejt. Partneriteti ynë është jetëgjatë, miqësia jonë është e përhershme”, theksoi ambasadorja amerikane Yuri Kim.
Ajo i pa të kushtëzuara ritmet e procesit integrues të Shqipërisë në BE me rritjen e efikasitetit të luftës kundër krimit dhe ndëshkimit të kriminelëve. “Sa më efikase të jetë Shqipëria për të ndjekur krimin ndërkombëtar, aq më afër integrimit do të jetë ajo.” Yuri Kim rikonfirmoi mbështetjen e SHBA për ngritjen dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Strukturës së Posaꞔme Anti-Korrupsion, (SPAK). “Suksesi i SPAK nuk është vetëm çfarë presin SHBA, por është edhe ajo që shqiptarët duan. Partneriteti ynë është jetëgjatë, miqësia jonë është e përhershme.”, tha ambasadorja amerikane Yuri Kim. Ajo solli në vëmendje, se marrëveshja e parë e ekstradimit mes dy vendeve u nënshkrua 87 vite më parë, më 1 mars 1933, kur Shqipëria ishte “mbretëri dhe jo Republikë”.
Sinjal i qartë ndaj gjithë shkelësve të ligjit
Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë, e cilësoi traktatin e sapo nënshkruar “sinjal të qartë ndaj gjithë shkelësve të ligjit”. “Është një ngjarje historike që shënon një hap të ri bashkëpunimi gjyqësor me SHBA dhe një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër krimit. Askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri”, vuri në dukje Gjonaj. Ministrja e Drejtësisë, Gjonaj e quajti marrëveshjen e ekstradimit “shenjë të qartë të vullnetit të palëkundur të qeverisë shqiptare, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës si edhe provë të mbështetjes së pakursyer të SHBA në realizimin e këtij objektivi të përbashkët”.