Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka shprehu mirënjohjen dhe respektin ndaj të gjithë detarëve që kanë shërbyer në këto 95 vite në Forcën Detare shqiptare, duke theksuar se 95-vjetori e gjen Forcën Detare në një fazë intensive të modernizimit.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në këtë përvjetor kujtoi një nga përformancat më të jashtëzakonshme të Forcës Detare në Detin Egje, gjatë operacionit “Sea Guardian”, duke shpëtuar mbi 3 mijë jetë njerëzish.
Duke vlerësuar mbështetjen e partnerëve e aleatëve të NATO-s, Ministrja e Mbrojtjes tha se në vijim, “projekti më i rëndësishëm, është kontrata afatgjatë e mirëmbajtjes dhe përmirësimit të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare me kompaninë amerikane Lockheed Martin, që do të përmirësojë kontrollin dhe monitorimin e hapësirës detare”.
“Pas pajisjes së të gjithë anijeve të klasit Iliria me topa 20 mm, vitin që vjen, siç diskutuam edhe me Gjeneral Xhebexhinë, do të vijojmë me disa projekte të tjera modernizuese, siç janë pajisja e anijeve me sisteme dhe pajisje komunikimi që do të na lehtësojnë komunikimin me aleatët”, theksoi ministrja Xhaçka, teksa foli edhe për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së riparimit të anijeve të Forcës Detare duke i hapur rrugë projekteve të modernizimit me anije të reja dhe moderne.
Forca Detare daton si ditë të formimit të saj 25 dhjetorin e vitit 1925.