Është një rrëfim për një vajzë që pati fillim të vështirë në jetë dhe pastaj e zbuloi shahun. Ajo bëhet kampione e SHBA-së në shah dhe studion gjuhën ruse. Ndërsa, tani ajo po përpiqet të gjejë një mënyrë për të shkuar në Rusi që të luajë shah, sepse ndryshe nuk mund ta përballojë këtë lojë. Nuk bëhet fjalë për Beth Harmonin, heroinën e trilluar të serialit “The Quenn’s Gambit” në Netflix.
Fjala është për Jessica Lauserin, kampionen e trefishtë në shahun e të verbërve në SHBA. Ajo ka kohë që njihet në nofkën “Chessica” – pseudonim të cilin ia la mësuesi i matematikës kur ishte në klasën e tetë. Lauseri, 40-vjeçare, lindi 16 javë para kohe. Ashtu si shumë foshnje të lindura herët, ajo kishte nevojë për oksigjen, i cili dëmtoi sytë e saj, një gjendje e quajtur retinopati e parakohshme. Një sy i saj është plotësisht i verbër derisa me tjetrin ka shumë pak shikim. Fusha e saj vizuale është e kufizuar dhe figurat e shahut i duken të mjegullta dhe të deformuara. Ajo mund të tregojë kur një fushë e shahut në tabelë është e zënë, por nuk mund të tregojë gjithmonë se për cilën fushë është fjala.
Kur Lauseri luan kundër një lojtari që nuk ka problem me shikimin, ajo ia shpjegon të gjitha vështirësitë. Problemi më i madh është rregulli i prekjes në shah, i cili thotë se nëse prekni një figurë, duhet ta lëvizni atë.
“Nëse do të më duhet të identifikoj një figurë gjatë një loje, do ta prek lehtë pjesën e sipërme të saj dhe do të them ‘identifikoj’, jo duke kapur figurën, por thjesht vetëm e prek pak”, shpjegon Lauseri.
Michael Aigner, i cili kohët e fundit ishte shoku i saj i skuadrës në Olimpiadën e parë virtuale për personat me aftësi të kufizuara, thotë: “Askush nuk mund të thotë se Jessica është e verbër”.
Lojtarët e verbër të shahut shpesh përdorin një mjet prekës, një tabelë të veçantë me kunja që i lejon ata të ndiejnë figurat pa i rrëzuar ato. Por, jo edhe Jessica për shkak se preferon identifikimin e figurave nëpërmjet prekjes. Loja e shahut ka qenë streha e Jessicas për një kohë shumë të gjatë. Ajo e mësoi këtë lojë në moshën shtatëvjeçare, kur u transferua nga Shkolla Shtetërore e Arizonës për të Shurdhrit e të Verbrit në një shkollë të zakonshme. Në atë moshë “shahu ishte vetëm si një lojë e thjeshtë”, thotë ajo. Por nga klasa e shtatë, kur filloi në një shkollë të re në Kaliforni, ajo kishte filluar ta merrte lojën më seriozisht.
“Kur hyra në klasë ditën e parë, gjëja e parë që pashë në pjesën e prapme të dhomës ishin dollapët deri në bel me tabelat e shahut sipër”, thotë Lauseri. “E dija që fëmijët do të më shikonin ndryshe dhe do të më ngacmonin, kështu që iu përkushtova lojës së shahut për t’i mposhtur ata dhe t’i bëja të heshtnin”.
Lauseri, e cila tani jeton në Kansas City dhe punon për Shërbimin e Brendshëm të të Ardhurave, ka jetuar në shumë vende, pasi verbëria e saj e ka bërë të vështirë për të siguruar një punë të qëndrueshme. Ajo ka qenë e pastrehë gjatë vitit të kaluar.
“Ajo që më inatos më së shumti është se asnjëherë nuk marrë një mundësi korrekte në jetë dhe kjo për shkak të asaj se si kam lindur”, thotë ajo për NYT. “Edhe pse kam punuar gjithmonë, kam jetuar në varfëri të përhershme. Kjo është arsyeja pse unë luaj shah, sepse më ndihmon të përballem me të gjitha gjërat që nuk mund t’i ndryshoj. Unë nuk dua keqardhje, por më shumë mundësi. Thjesht dua të jem e barabartë”.
Aftësitë e lojës së shahut, Jessica i ka marrë duke luajtur në rrugët e San Franciscos, San Joses e Washingtonit. Vendi i saj i preferuar ishte Universiteti Shtetëror i San Franciscos, ku ajo mori diplomën e saj universitare në moshën 36 vjeçe.
“Do të vendosja shumë tabela shahu dhe në të njëjtën kohë do të luaja me të gjithë që dëshironin të më sfidonin”, kujton Jessica.
Ajo tërhoqi një turmë, jo sepse ishte e verbër ose një femër, por sepse ishte kundërshtare e fortë për të gjithë dhe pothuajse gjithmonë triumfonte. Dyqanet aty pranë vunë re se shitjet e tyre u rritën kur ajo ishte atje, ndërsa njerëzit ndalonin të shikonin.
“Koordinatori i ndërtesës më tha: ‘Shpresoj se kjo nuk do t’ju ofendojë, por ne do të dëshironim t’ju adoptonim!’”, zbulon Jessica.
Për shkak se ka luajtur kaq shumë në rrugë, Jessica luan shumë shpejt, duke përdorur hapje që shpesh konsiderohen të pahijshme për shahun në turne. Në shah në lojën pesëminutëshe, vlerësimi i saj maksimal e vendosi një kategori poshtë kategorisë master. Marrja e një titulli master është ende synimi i saj, edhe pse ajo është e vetëdijshme që shanset i ka minimale – jo shumë lojtarë e kanë arritur këtë në të 40-tat e tyre.
“Unë nuk e kam ndërmend të heq dorë nga kjo ëndërr e imja”, insiston Jessica.
Në tetor, Lauseri fitoi kampionatin e saj të tretë rresht për të verbrit në SHBA – një turne që u mbajt pavarësisht pandemisë dhe që ishte shtyrë nga korriku. Para pandemisë, Virginia Alverson, presidentja e Shoqatës së Shahut për të Verbër në SHBA, kishte shpresuar të tërhiqte 20 pjesëmarrës. Por për shkak të pandemisë, u paraqitën vetëm tre: Alverson, shoqja e saj e dhomës, Pauline Downing dhe Lauseri.
“Ne menduam se nëse Jessica ishte e gatshme të udhëtonte nga Kansas City në New Hampshire për të mbrojtur titullin e saj, atëherë ne do të duhej të kishim një lloj turneu. Ajo dëshironte të vinte dhe unë vërtet e doja pjesëmarrjen e saj”, thotë Alverson.
Olimpiada e këtij viti për Personat me Aftësi të Kufizuara, e mbajtur gjatë fundjavës së Falënderimeve, ishte një ngjarje me profil shumë më të lartë. Fillimisht e planifikuar në gusht të mbahet në Siberi, u zhvendos në internet dhe tërhoqi 60 ekipe nga 44 vende. Skuadra amerikane, e udhëhequr nga Aigner përfundoi në pozitën e dhjetë. Lauseri filloi ngadalë, por fitoi një lojë kyç në raundin e fundit kundër një lojtari nga Brazili. Dhe, ajo ishte padyshim lojtarja më e rëndësishme, sepse secilit ekip i kërkohej të fuste një lojtare femër. Pa të, nuk do të kishte pasur një ekip amerikan.
“Pa Jessican do të dështonim. Ajo na ndihmoi shumë me fitoren në raundin e fundit”, pranon Aigneri.
Aktualisht, Olimpiada tjetër është planifikuar të mbahet në Rusi në vitin 2022. Lauseri dëshiron të shkojë, por ajo nuk është e sigurt se si mundet. Këtë vit, para se të anulohej ngjarja në Siberi, FIDE – Federata Ndërkombëtare e Shahut – ofroi të paguante akomodimin plus 1.500 euro për udhëtim.
“Nuk besoj se kjo shumë mjafton për të shkuar dhe për t’u kthyer nga Rusia”, thotë Chris Bird, menaxheri i ngjarjeve të FIDE-së nga Federata Amerikane e Shahut.
Derisa të mbarojë pandemia, federata amerikane nuk po u jep mbështetje financiare ekipeve për ngjarjet ndërkombëtare. Për Jessican, kjo është një histori e njohur. Ajo është kualifikuar gjashtë herë në kampionatin botëror për të verbrit, por kurrë nuk ka qenë në gjendje të marrë pjesë për shkak të mungesës së fondeve. Në një periudhë të shkurtër, Lauseri shpreson të mbajë punën e saj në Kansas City, si dhe apartamentin e saj aktual. Ndërsa, në periudhë afatgjate, Jessica synon të grumbullojë fonde dhe të shkojë në Rusi për të jetuar pasi beson se mund të ketë jetë më të mirë.
“Ndoshta nëse jetoj në Rusi do të kem mundësi më të mëdha. Do të luaj shah, por edhe do t’ua mësoj të tjerëve këtë lojë, por edhe gjuhën angleze. Do të isha në gjendje të flas për çdo ditë gjuhën ruse, të cilën tashmë e kam studiuar”, thotë Jessica.