Mundësia e kalimit të futbollistit të ri shqiptar, Steven Bala, te gjiganti evropian, Benfica, ka hasur në pengesa për shkak të përplasjes që ai ka pasur së fundmi me klubin e panjohur anglez, Barnet.
Futbollisti i ri shqiptar i ka thënë “DailyMailit” se ka pësuar dëme të mëdha në shëndetin mendor si pasojë e përplasjes me klubin.
Karriera premtuese e 17-vjeçarit është bllokuar tërësisht si pasojë e mosmarrëveshjeve nëse Barneti duhet të kompensohet për ta lënë të lirë apo jo.
“S’mund të fle natën. Thjesht dua vetëm të luaj futboll. Kjo situatë po ma shkatërron karrierën. Është e vështirë të ec përpara… kam shumë pengesa”, ka thënë ai.
Më herët më 2020, Balës i ishte ofruar shansi të kalonte te Benfica, por marrëveshja dështoi për shkak të kërkesave financiare të Barnetit, klub në rangun e pestë të garave në futbollin anglez.
Klubi londinez donte që për Balan të paguhej kompensimi prej 36 mijë funtesh, plus bonus deri në 1.3 milionë funtesh varësisht nga performancat dhe 20 për qind në shitjen e tij në të ardhmen.
Benfica, që e kishte bërë ofertën para pandemisë, refuzoi kërkesën e Barnetit duke e zhgënjyer të riun shqiptar.
Për Balën kanë shprehur interesim edhe disa skuadra të tjera, por Middlesbrough, Sunderland e Colchester kanë refuzuar të bëjnë pagesën për sulmuesin.