Branko Millanoviq, ekonomist dhe profesor amerikan me origjinë serbe, mbi iluzionin e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkan dhe “Mini-Schengenin”, të cilin e quan projekt të pakuptimtë.
Krahas francezit Thomas Piketty ekonomisti amerikan Branko Millanoviq është ndër hulumtuesit më të njohur globalë mbi pabarazinë sociale. Millanoviq, 67-vjeçar, ka një përvojë të gjatë si hulumtues në Bankën Botërore dhe si profesor në Universitetin “John Hopkins” të Washingtonit. Në librin e tij më të ri “Kapitalizmi, vetëm” (“Capitalism, Alone”) Millanoviq thekson se pabarazia në botë është mjeti më i rrezikshëm shpërthyes për kapitalizmin. Këtë libër disa media e kanë quajtur “një shikim distopik” të sistemit mbizotërues ekonomik në botë.
Së fundi Branko Millanoviq ka folur për revistën e pavarur të Beogradit “Vreme”. Krahas mendimeve mbi trendet globale të ekonomisë, ai ka treguar se përse është skeptik sa i përket zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkan. “I vetmi vend që në 20 apo 30 vitet e ardhshme mund të hyjë në Bashkimin Europian është Mali i Zi për shkak se është vend i vogël, është në NATO dhe duhet mbajtur gjallë shpresën se edhe të tjerët mund të llogarisin në anëtarësim, ndonëse objektivisht mendoj se asnjë nga vendet e tjera nuk do të bëhet pjesë e BE-së”. Sipas Millanoviq “BE është në fazën e ballafaqimit me vetveten, me numrin ekzistues të vendeve anëtare ajo s’mund të arrijë pajtueshmëri mbi shume çështje, andaj pranimi i vende të reja, të pazhvilluara të cilat përballen me probleme të brendshme të administrimit, sundimit të ligjit dhe zgjedhjeve të lira, është plotësisht i papranueshëm”.
Sa i përket të ardhmes europiane të Serbisë, Branko Millanoviq tha për “Vreme” se anëtarësimi i Serbisë në BE “është iluzion”. Kjo, sipas tij, nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt, por çështja është se a do të ndodhë ndonjëherë. Meqë perspektiva europiane praktikisht nuk ekziston, Serbia, sipas Millanoviq, po përpiqet të ulet në katër karrige: Kina po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme si investitor, Rusia “për shkak të disa interesave të tjera siç është Kosova” apo Amerika, e cila është fuqia më e madhe botërore.
Millanoviq u shpreh skeptik lidhur të ashtuquajturin “Mini-Schengen”, që në rajon përkrahet sidomos nga presidenti serb dhe kryeministri i Shqipërisë. “Më duhet të them se nuk shoh ndonjë kuptim në gjithë këtë (projekt). Në Serbi përherë ekziston njëfarë tendence për t’u bashkuar me dikë, e pastaj për t’u ndarë me luftëra. Tregtia është me rëndësi dhe duhet hequr tarifat doganore, por situata e përgjithshme është krejtësisht e parregulluar për të sjellë qarkullimin normal të fuqisë punonjëse”.