Presidenti turk Tayyip Erdogan, shpreson që rifillimi i bisedimeve mes Turqisë dhe Greqisë lidhur me mosmarrëveshjen detare do të krijojë një epokë të re.
Erdogani ka kërkuar sot nga Athina zyrtare që të mos kontribuojë në eskalimin e tensioneve në regjion, shkruan Reuters.
Anëtaret e NATO-s, Ankaraja dhe Athina kanë bërë të ditur të hënën se janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet më 25 janar rreth të drejtave në detin e Mesdheut, gjë që vitin e kaluar gati shkaktoi konflikt mes dy vendeve.
Turqia kishte zemëruar Greqinë dhe Bashkimin Evropian kur vendosi një anije në ujërat e pretenduara si të Greqisë.
“Ne nuk duhet ta shfrytëzojmë Mesdheun si një zonë garash, por si ujëra që do të na shërbejnë për interesa tona”, u tha sot Erdogan ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Ankara.