I ftuari në RTV Ora ishte nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili komentoi skandalin e përgjimeve të antimafias italiane, të cilat nxjerrin në pah lidhjet e mafias kalabreze “Ndragheta” me politikën në Tiranë.
Sipas Palokës, në Shqipëri plasin skandalet ndërsa qeveria nuk do t’ja dijë dhe nuk reagon.
Nënkryetari i PD shtoi se, kjo nuk është hera e parë që kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij dalin në përgjime.
A ka ardhur koha për peshqit e mëdhenj?
“Prej kohësh. Ju i përmendët në fakt. Nuk është rasti që dalin nga përgjimet që bëjnë shërbimet e huaja perëndimore. Dhe ku jo, për herë të parë, e them edhe një herë, emrat e ministrave, kryetarëve të bashkive e deri te kryeministri ka dalë për lidhje që nga rasti që ju përmendët Saimir Tahiri me trafikun e drogës, tek trafikimi i votës në dy dosjet e famshme ku duket qartazi lidhja e shtetit me krimin dhe me mafian vendase për vjedhjen e votës, pra dosjet 184 dhe 339 dhe rasti i fundit është ky që sapo ka plasur.
Qartazi, në bisedat e politikanëve italianë, anëtarëve të Ndraghetas, mafias kalabreze dhe funksionarëve shqiptarë apo personave të lidhur me funksionart më të lartë shqiptarë. Pra, nga kreu i bashkisë Tiranë te drejtori i përgjithshëm i policisë duket që ka një lidhje direkte në gjithë atë që ne e kemi denoncuar në mënyrë të rregullt. Konkretisht për këtë dosje të fundit, PD ka dalë rregullisht prej dy vjetësh dhe denoncon faktin që në ndërtimet në kryeqytet po lahen paratë e mafias. Mafias shqiptare dhe mafias ndërkombëtare. Kjo gjë thjesht konfirmohet nga këto përgjime”, tha Paloka.