Një gjykatës federal të martën ndaloi qeverinë amerikane që të zbatojë një moratorium 100-ditor të dëbimeve, një nga përparësitë kryesore të Presidentit Joe Biden për çështjen e imigracionit.
Gjykatësi federal Drew Tipton lëshoi një urdhër ndalimi të përkohshëm të kërkuar nga Teksasi, shteti që të premten sfidoi një memorandum të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që udhëzonte agjencitë e imigracionit të ndërpresin shumicën e dëbimeve.
Gjykatësi Tipton tha se administrata e Presidentit Biden ka dështuar “të ofronte ndonjë justifikim konkret, të arsyeshëm për një pauzë 100-ditore mbi dëbimet”.
Urdhri i gjykatësit Tipton është një goditje e hershme për administratën e presidentit Biden, e cila ka propozuar ndryshime të mëdha të kërkuara nga aktivistët e imigracionit, duke përfshirë një plan për të legalizuar rreth 11 milionë emigrantë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme.
Bideni premtoi gjatë fushatës së tij lëshimin e një moratoriumi mbi dëbimet.
Vendimi është një fitore për udhëheqësit republikanë të Teksasit, të cilët shpesh kanë përdorur paditë për të ndalur programet e miratuara nga presidenti Barack Obama. Kjo gjithashtu tregon se ashtu si shtetet e drejtuara nga demokratët dhe grupet e emigracionit që luftuan ish-Presidentin Donald Trump nëpër gjykata për çështjet e imigracionit, shpesh me sukses, edhe republikanët mund ta bëjnë këtë me administratën e Bidenit.
David Pekoske, sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, nënshkroi një memorandum në ditën e parë të Presidentit Biden në detyrë duke udhëzuar autoritetet e imigracionit që të përqëndrohen në sigurinë kombëtare dhe kërcënimet e sigurisë publike, si dhe këdo që kapet duke hyrë ilegalisht në SHBA pas 1 nëntorit. Ky ishte një ndryshim nga politika e administratës Trump që e bëri përparësi dëbimin e të gjithë personave që ndodhen në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
Moratoriumi 100-ditor hyri në fuqi të premten dhe vlente pothuajse për këdo që ka hyrë në Shtetet e Bashkuara pa autorizim para nëntorit.