Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç njofton një fushatë të vaksinimit ndaj koronavirusit për veriun e Kosovës pa e informuar qeverinë dhe autoritetet në Prishtinë. Kjo e thellon hendekun mes popullsisë në Kosovë.
Është një ditë e ftohtë dhe me re, jo shumë njerëz ndodhen jashtë nëpër rrugë. Ndaj është më mirë të udhëtosh me taksi, sepse këtu në veri të Kosovës nuk i duan gazetarët kuriozë, veçanërisht ata shqiptarë. Kushdo që bie në sy si përfaqësues i shtypit vrojtohet, madje ndonjëherë edhe mund të ndiqet nga djem që të ngjallin frikë me limuzina të zeza, të cilët të afrohen në një mënyrë jo miqësore.
Rrugës në Mitrovicë, në anën veriore të qytetit përgjatë lumit Ibër: Qyteti është i banuar pothuajse tërësisht me serbë, si i gjithë veriu i Kosovës. Për javë të tëra qarkullojnë fjalë, se gjoja ka nisur një fushatë e madhe vaksinimi ndaj koronavirusit, financuar dhe koordinuar nga qeveria e Beogradit në Serbi, ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, që është kryesisht shqiptare. Për çfarë bëhet fjalë?
Udhëtimi për në spitalin lokal në skajin perëndimor të Mitrovicës veriore të çon përpara ndërtesave me parafabrikate, që prej motit me re duken edhe më të zymta se sa janë zakonisht. Një flamur serb varet në ndërtesën e spitalit, hyrja ruhet nga një njeri i sigurimit i veshur me të zeza. Tek e pyesim, se me kë mund të flasim lidhur me sa thuhet për fushatën e vaksinimit, ai përgjigjet i vrenjtur në fytyrë: “Askush këtu nuk jep ndonjë informacion!” Ai thërret një koleg për përforcim. Një grua me një pallto të bardhë del gjithashtu nga ndërtesa. “Ju nuk keni punë këtu”, thotë ajo duke iu drejtuar gazetarëve me një zë të mprehtë, “largohuni prej këtej!”
Mosmarrëveshje e re midis Beogradit dhe Prishtinës
Kosova në krizën e koronavirusit: Të gjitha vendet evropiane aktualisht po përpiqen të marrin sa më shpejt të jetë e mundur një vaksinë për veten e tyre. Për Kosovën mundësia ndoshta do të jetë vetëm në shkurt – të paktën nga kjo periudhë kohore Ministria e Shëndetësisë në Prishtinë do të shpallë fillimin e vaksinimit.
Ndryshe në veri, i cili kontrollohet kryesisht nga Serbia dhe ku autoritetet kosovare kanë pak ndikim: Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç njoftoi në një aeroport ushtarak pranë Beogradit tha, se do të fillonte një fushatë gjithëpërfshirëse e vaksinimit në veri të Kosovës, fillimisht për ata mbi 75 vjeç, pastaj edhe për të gjithë të tjerët.
Qeveria kosovare nuk është informuar zyrtarisht për këtë deri më sot. Njoftimi i Vuçiçit bëri bujë të madhe në Kosovë. Në fund të fundit, presidenti serb në këtë mënyrë ndërhyri drejtpërdrejt në sovranitetin e një vendi të pavarur të njohur nga shumica e shteteve evropiane – në një situatë në të cilën raportet midis Serbisë dhe Kosovës janë në një pikë të ulët dhe dialogu mes drejtuesve politik të të dyja shteteve i moderuar nga Bashkimi Evropian ka kohë që është i ngrirë.
I rrezikshëm nga ana mjekësore
Por njoftimi i Vuçiçit nuk ishte vetëm një provokim politik. Nëse është e saktë, do të ishte gjithashtu e rrezikshme nga ana mjekësore. Sepse është e paqartë për cilën vaksinë po fliste presidenti serb, kur njoftoi fushatën e vaksinimit për veriun e Kosovës. Gjithashtu e paqartë është se ku dhe në çfarë kushtesh ishte dhe do të jetë vaksinimi – nëse kjo tashmë ka ndodhur. Po të ishte ashtu, Serbia jo vetëm që do të shkelte rregulloret e përgjithshme të importit të Kosovës, por edhe origjina, mënyra e veprimit, efektet anësore dhe efektet afatgjata të vaksinës mbeten të panjohura për autoritetet në vend.
Ndërkohë kryeministri kosovar Avdullah Hoti e ka përshkruar fushatën e vaksinimit si të paligjshme dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar hetim. Por nga Beogradi nuk ka asnjë informacion zyrtar, tha Zemaj për DW. “Unë kam porositur autoritetin mbikqyrës farmaceutik dhe inspektoratin shëndetësor për të hetuar në bashkëpunim me policinë dhe prokurorin publik,” tha Zemaj. Ai flet për një “politizim të fushatës së vaksinimit” nga Serbia. Me këtë pakicës serbe që jeton në Kosovë i propagandohet diçka, që në fund të fundit vetëm mund t’i dëmtojë ata.
Shoqëria kosovare tashmë është e ndarë kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor. Në veri të vendit ekziston de facto një sistem shëndetësor paralel – spitalet dhe qendrat shëndetësore lokale faturojnë përmes kompanive të sigurimeve shëndetësore në Serbi. Pra, kujdesi shëndetësor për njerëzit në veri të Kosovës funksionon praktikisht përmes Serbisë dhe jo përmes Kosovës.
Që kjo ndarje në sistemin e kujdesit shëndetësor ka potencial të rrezikshmëm politik u duk qartë të hënën (25.01) ku qindra mjekë dhe infermierë demonstruan në Mitrovicë para zyrës së prokurorit publik kosovar kundër “trajtimit të tyre jo human” nga autoritetet kosovare. Protesta u shkaktua si rrjedhojë e hetimeve të kryera nga qeveria kosovare lidhur me deklaratat e pesidentit të Serbisë Vuçiç i cili njoftoi fushatën e vaksinimit. Sipas protestuesve, ata janë marrë arbitrarisht në pyetje.
Vend nën mjegullën e vaksinimit
Ndërkohë, mbetet plotësisht e paqartë nëse një fushatë vaksinimi në shkallë të gjerë po ndodh realisht në veri të Kosovës, apo nëse kjo është vetëm propagandë nga presidenti serb. Kjo përshtypje të krijohet kur flet me njerëzit në vend. Njëra prej tyre është edukatorja e kopshtit Jelena Vuçiniç. Ajo është ulur në një kafene në rrugën kryesore në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës. “Personalisht, nuk kam parë asgjë në lidhje me këtë fushatë vaksinimi”, thotë 42-vjeçarja. “As unë dhe askush në familjen time nuk jemi vaksinuar, përfshirë edhe miqtë dhe të njohurit e mi. Kam lexuar vetëm në mediat lokale se vaksinimet kanë filluar.” Kështu si Jelena apo ngjashëm shprehen edhe të tjerët. Askush nuk i njeh personalisht të vaksinuarit.
Pyetjet e DW adresuar qeverisë serbe dhe Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me fushatën e vaksinimit mbeten pa përgjigje. Vetëm një gjë është e sigurt në mjegullën e vaksinave kosovare: konflikti i pazgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë, madje edhe në kohën e pandemisë së koronavirusit, vetëm sa e thellon më shumë hendekun midis dy grupeve etnike, midis popullatës së Kosovës.