Prodhuesi amerikan i ilaçeve dhe partneri i tyre gjerman, në një deklaratë të përbashkët theksuan se janë kryer teste tek 20 persona me tre lloje të koronavirusit
Vaksina Pfizer-BioNTech kundër koronavirusit të ri (COVID-19) është efektive kundër llojeve të virusit të zbuluar në Britani të Madhe dhe Afrikën e Jugut, deklaruan kompanitë, raporton Anadolu Agency (AA).
Prodhuesi amerikan i ilaçeve dhe partneri i tyre gjerman në një deklaratë të përbashkët theksuan se janë kryer teste tek 20 persona me tre lloje të ndryshme të koronavirusit, përkatësisht për llojin e virusit të shfaqur në Mbretërinë e Bashkuar, atë të shfaqur në Afrikën e Jugut, si dhe atë të llojit të njëjtë të shfaqur në të dyja vendet.
“Serumet e individëve të vaksinuar me vaksinën Pfizer-BioNTech COVID-19 neutralizuan të gjitha llojet SARS-CoV-2 të testuar”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se “ndryshimet e vogla” të zbuluara në testet në të cilat krahasohet virusi origjinal dhe variantet “nuk ka gjasa të çojnë në një ulje të ndjeshme të efektivitetit të vaksinës”.
Ndërsa zbulimet në fjalë tregojnë se nuk ka nevojë për kërkimin e një vaksine të re për variantet e reja, kompanitë thanë se “janë të gatshme të përgjigjen nëse varianti i SARS-CoV-2 demonstron prova të shmangies së imunitetit nga vaksina kundër COVID-19”.
Kompanitë thanë se do të vazhdojnë të monitorojnë variantet e reja dhe “efektivitetin në botën reale” të vaksinës së tyre.
“Pfizer dhe BioNTech besojnë se fleksibiliteti i platformës së vaksinës mRNA të pronarit të BioNTech është i përshtatshëm që të zhvillojë variante të reja të vaksinave nëse kërkohet”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Pas autorizimit emergjent të përdorimit nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave në fund të dhjetorit, më shumë se 13,5 milionë amerikanë kanë marrë doza të vaksinës Pfizer-BioNTech, sipas të dhënave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
SHBA mbetet vendi më i goditur në botë, ku numri i rasteve të COVID-19 tani ka shkuar mbi 25,5 milionë dhe afër 430 mijë të vdekur.