Edhe pse Shqipëria duhet të merrte vaksinat e para nga Pfizer në javen e tretë të janarit, qeveria ende nuk ka një datë se kur do të mbërrijnë dozat e në vendin tonë.
Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se janë kontraktuar 800 mijë doza për qytetarët, ndërsa vaksinat e para nga Covax pritet të mbërrijë në shkurt.
“Marrëveshja me Pfizer ishte përmbyllja e përpjekjes së pandalur për asnjë moment gjatë këtyre kohëve për sigurimin e 500 mijë dozave vaksinash që së bashku me marrëveshjen e Covax, me mundësimin pra të 1 milion e 140 mijë doza vaksinash, ne kemi tashmë të kontraktuara doza vaksinimi për 800 mijë qytetarë, duke filluar me grupet prioritare. Qeveria shqiptare ka marrë masa në kohë për nënshkrimin e kontratave me të parën kompani që dispononte autorizimet e përdorimit të vaksinës. U angazhuam financiarisht në parapagimin e marrëveshjes së Pfizer-it dhe tashmë kemi paguar rreth 2.9 milion dollarë, si dhe kemi parapaguar në instrumentin e Covax-it për të garantuar sigurimin e vaksinave në një kohë të shpejtë”, tha Manastirliu.