DEASH rishfaqet në Bagdad, ndërsa administrata Biden ecën drejt politikave të epokës para Obamës në Lindjen e Mesme
Stamboll
MEHMET A. KANCI
Pasi i mbijetoi sulmit të 6 janarit në Kapitol Hill, SHBA-ja arriti ceremoninë e betimit më 20 janar, kurse inaugurimi la pas shumë më pak dëme nga sa ishin shqetësimet. Pas largimit të Donald Trump-it nga Washington DC, ajo që pasoi menjëherë ishte një lumë urdhrash ekzekutivë: Në përputhje me pritjet e segmenteve të shoqërisë që ai përfaqëson, Joe Biden, presidenti i ri, nënshkroi në total 19 urdhra ekzekutivë në 48 orët e tij të parë në detyrë për të fshirë gjurmët dhe për të kthyer mbrapsht efektet e trashëgimisë së Donald Trump-it, i cili besohet të ketë prishur strukturën e vendosur shtetërore të SHBA-së.
Megjithatë, ekzistojnë disa politika të vendosura gjatë epokës se Trump-it të cilat nuk mund të përmbysen me nënshkrime ose urdhra ekzekutivë. Në mënyrë që të analizojmë më saktë rrugët e ndryshimeve në politika, për të cilat është me të vërtetë shumë vështirë të flasim publikisht, ne duhet të ndjekim hartën me të cilën administrata Biden vendosi shenjat e saj. Tre mesazhet e para që ky udhërrëfyes i jep Lindjes së Mesme janë: kthimi në Marrëveshjen e Energjisë Bërthamore me Iranin, zgjidhja me dy shtete për Palestinën dhe rikthimi i mbështetjes për organizatën terroriste PKK/YPG në Sirinë veriore.
Ata që ndërtuan karrierë nga DEASH-i janë kthyer
Mesazhi i tretë, i cili ka të bëjë me Turqinë, është sqaruar me emërimet pas mesazhit se SHBA-ja nën udhëheqjen e Biden-it pritet të rrisë praninë e saj në terren kundër Rusisë, veçanërisht në Libi dhe Siri. Brett McGurk, i cili më 22 dhjetor të vitit 2018, për shkak të “mosmarrëveshjeve të thella” me Trump-in kishte dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij si i Dërguari Special i Presidentit për Koalicionin Global të Luftës Kundër DEASH-it, është kthyer në skenë me ekipin e presidentit si koordinator i Këshillit të Sigurimit Kombëtar për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Një tjetër emërim kritik u bë në Departamentin e Mbrojtjes. Lloyd Austin, i cili kishte komanduar trupat amerikane në Irak në periudhen 2010-2011 dhe vazhdoi si kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) në vitin 2013, u bë Sekretari i ri i Mbrojtjes. Organizata terroriste DEASH, shumë interesant, arriti të pushtojë qytetin e Mosulit gjatë kohës kur Austin ishte në krye të CENTCOM-it. Kur erdhi puna për të luftuar kundër DEASH-in, Austin gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në armatosjen dhe mbështetjen e organizatës terroriste PKK/YPG, në vend të grupeve që ishin kundër regjimit në Siri. Austin doli në pension dhe u largua nga CENTCOM në vitin 2016 në një kohë kur organizata terroriste DEASH kryente sulme vetëvrasëse në Stamboll, Bruksel dhe Bagdad, kurse ushtria irakiane luftonte për të marrë qytetin Al-Fallujah nga duart e DEASH-it, i cili e mbante nën kontroll qytetin nga viti 2014.
Nuk ishin vetëm burokratët civilë dhe ushtarakë që mbështetën PKK/YPG-në që janë rikthyer me presidencën e Biden-it; gjithashtu dhe DEASH u ngrit nga arkivoli i tij dhe u rishfaq në Bagdad. Organizata terroriste kreu sulmin e saj të fundit vetëvrasës në kryeqytetin irakian në janar te vitit 2018 në Sheshin al-Tayaran të Bagdadit, ku dy sulmues vetëvrasës me bomba vranë 35 njerëz dhe plagosën më shumë se 90 të tjerë. DEASH u rishfaq në Bagdad tre vjet më vonë; këtë herë, vetëm një ditë pasi Biden mori detyrën. Në mënyrë të ngjashme, dy sulmues me bomba shënjestruan Sheshin al-Tayaran. Duke shpërthyer bomba që kishin në trup, terroristët kësaj radhe morën 32 jetë, duke plagosur 110 të tjerë.
Data magjike: 21 janar
Ky sulm më 21 janar nuk ishte zhvillimi i vetëm anormal në rajon. Në të njëjtën ditë, u raportua se një autokolonë e madhe ushtarake amerikane kaloi kufirin al-Waleed midis Irakut dhe Sirisë. U vu re se autokolona e SHBA-së që kalonte në rajonin al-Hasakah të Sirisë mbante sasi të mëdha armësh, municionesh dhe pajisje logjistike. Autokolona prej 40 kamionësh dhe mjetesh të blinduara u shoqërua gjithashtu nga helikopterë.
Zhvillimet e pazakonta në rajon vazhduan më 22 janar. Autokolona që bartte pajisje logjistike për Forcat e Koalicionit Global u shënjestrua gjithsej gjashtë herë me mjete shpërthyese artizanale të vendosura në skaj të rrugëve – pesë herë në vende të ndryshme në jug të Bagdadit dhe një herë afër Tikritit në veri të Bagdadit. Ashab al-Kahf, një grup paramilitar i mbështetur nga Irani, mori përgjegjësinë për sulmet. Grupi njoftoi në një deklaratë se sulmet ishin kryer si hakmarrje për aktin terrorist të DEASH-it në Bagdad, duke theksuar se DEASH ishte krijuar dhe drejtuar nga SHBA-ja. DEASH vrau 10 persona më 23 janar, ku në shënjestër kishte një nga selitë e forcave të milicisë shiite Hashd al-Sha’bi (Forcat Popullore të Mobilizimit) në provincën Saladin. Kështu u sinjalizua se do të ndërmerren hapa të rinj për rritjen e tensioneve me Iranin në territorin e Irakut. Ndërsa tensionet për rishfaqjen e organizatës terroriste të dëbuar prej kohësh në Bagdad po ngriheshin shpejt, llogaria zyrtare në Twitter e CJTF – OIR-it (Task Forca e Kombinuar – Operacioni Zgjidhja e Natyrshme) postoi një mesazh në lidhje me shpërndarjen e automjeteve ushtarake me vlerë një milion dollarë për forcat e sigurimit irakian si pjesë e Operacionit Zgjidhja e Natyrshme që zbatohet nga forca shumëkombëshe që luftojnë kundër DEASH-it në Irak. Pasi McGurk të fillon në mënyrë aktive detyrën e tij, ne me siguri do të kemi një pamje më të mirë se pse kërkohet një mobilizim kaq i gjerë kundër një organizate terroriste gjoja “te vdekur”.
Kthimi në epokën para Obamës
Të gjitha këto zhvillime kanë ngritur shqetësime në kryeqytetet rajonale, veçanërisht në Ankara, pasi ato sinjalizojnë një kthim në politikat e epokës së Obamës, veçanërisht për çështjen siriane. Megjithatë, nëse i hedhim një vështrim më të thukët procesit historik, mund të shohim se pika e kthimit tashmë shkon përtej termit Obama, shkon në epokën e George W. Bush-it, madje edhe në vitet e babait të Bush (George HW Bush). Historia e ndihmës amerikane për terroristët e PKK-së me armë, municion dhe pajisje mjekësore (madje edhe në formën e trajtimit të terroristëve të plagosur) daton që nga periudha pas Luftës së Gjirit, kur njësia e forcave ajrore e njohur si Operacioni i Çekanit u vendos në rajon. Kryekomandanti i Xhandarmërisë së Turqisë në atë kohë, Gjeneral Eşref Bitlis, në një letër drejtuar presidentit të atëhershëm Turgut Ozal më 22 mars të vitit 1992, shprehu dyshime nëse Operacioni i Çekanit po vepronte në koordinim me PKK-në. Përgjigjja e SHBA-së ndaj kësaj letre ishte ngacmimi me avionët luftarakë amerikanë ndaj helikopterit të Gjeneralit Bitlis me të cilin fluturonte drejt qytetit irakian Saladin më 17 dhjetor 1992, duke e detyruar atë të ulej. Pavarësisht nga ky kërcënim i hapur, Gjenerali Bitlis njoftoi publikisht më 7 shkurt 1993 se elementët ajrorë të SHBA-së që ngriheshin nga baza ajrore Incirlik kishin kryer furnizime për PKK-në. Dhjetë ditë pasi ai bëri këtë zbulim, Gjeneral Bitlis u martirizua në Ankara, ndërsa avioni në të cilin ai po udhëtonte u rrëzua pak pas ngritjes. Le të kujtojmë këtu se Gjeneral Brigade Bahtiyar Aydin dhe Kolonel Ridvan Özden, të cilët ishin pjesë e ekipit të Bitlis-it dhe kishin qasje në detajet sikurse Bitlis, gjithashtu u martirizuan, në Lice, përkatësisht në Mardin, më 1993 dhe 1995, në sulme të sofistikuara si kurrë më parë, sulme që i atribuohen PKK-së.
Brett McGurk në skenë që nga viti 2004
Ky rrjet marrëdhëniesh midis SHBA-së dhe PKK-së, i cili u bë publik në vitet 1990, mori një dimension të ri me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003. Emri i Brett McGurk u dëgjua në zonë për herë të parë tetë muaj pas pushtimit të Irakut. McGurk mori detyrën në Irak si konsulent për administratën e përkohshme të krijuar nga forcat pushtuese, Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit dhe Ambasada e SHBA-së në Bagdad. Ai u gradua në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në vitin 2005 dhe shërbeu si drejtor për Irakun. Në të njëjtin vit, presidenti i atëhershëm i SHBA-së George W. Bush filloi të kërcënojë regjimin e Asadit, duke paraqitur Sirinë si fajtore pas sulmeve ndaj ushtrisë amerikane në Irak. Në vitin 2009, kur George W. Bush ia dorëzoi Shtëpinë e Bardhë Barack Obamës, McGurk ishte një burokrat që mbajti pozicionet e tij. Megjithatë, pauza e shkurtër që ai bëri nga shërbimi shtetëror me zgjedhjen e tij zgjati deri në vitin 2010. Ai pastaj u ngarkua që personalisht të mbikëqyrë përpjekjet për krijimin e qeverisë në Irak. Në vitin 2013, ai arriti një nivel të ri në karrierën e tij. Ai u emërua Zëvendës-Ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Irakun dhe Iranin në Byronë e Çështjeve të Lindjes së Afërt të Departamentit të Shtetit. Kur DEASH pushtoi Mosulin në qershor të vitit 2014, McGurk ishte në Erbil, kryeqytetin e Administratës Rajonale Kurde të Irakut (ARK). Në shtator 2014, McGurk u emërua si i Dërguari Special i Presidentit për Koalicionin Global të Luftës Kundër DEASH-it dhe u bë Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së. Në preferencën e tij për të mbështetur dhe armatosur PKK/YPG-në, në vend të opozitës siriane, McGurk u bë arkitekti i korridorit terrorist të krijuar përgjatë kufirit turk. Detyra e tij vazhdoi deri në grindjen e tij me Trump-in, i cili tërhoqi mbështetjen e SHBA-së nga organizata terroriste duke ndryshuar politikën e Shtëpisë së Bardhë. McGurk u kthye në një kundërshtar të paepur të Trump-it ndërsa dha dorëheqjen nga posti i tij më 22 dhjetor të vitit 2018. E padëgjuar ndonjëherë për një burokrat tjetër të dorëhequr, McGurk përdori llogarinë e tij në Twitter, deri në zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor 2020, për të shprehur mbështetje për organizatën terroriste PKK/YPG dhe për të dënuar politikën e Trump-it në Siri, si dhe për luftën propagandistike kundër Turqisë. Me administratën e Biden-it, McGurk u shpërblye siç priste për përpjekjet e tij me pozicionin e tij të ri, ku ai do të përfshihet në zonat e konfliktit si në Lindjen e Mesme, ashtu dhe Afrikën e Veriut; Siri, Irak dhe Libi, si dhe një zonë tjetër të madhe të mundshme të konfliktit, Iran.
A po vijnë operacionet e “flamurit të rremë”?
Është e domosdoshme të përqendrohesh tek autorët e sulmit të DEASH-it në Bagdad më 21 janar po aq me kujdes sa në efektet anësore që do të shkaktojë ky sulm. Në fakt, një pjesë e fjalimit të bërë nga ministri i Jashtëm irakian Fuad Hussein në Qendrën Al-Nahrain për Studime Strategjike në Bagdad më 23 janar, u shpërnda si informacion i minutës së fundit nga agjencitë ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm Husein njoftoi se ata do t’i bënin një kërkesë administratës së re të SHBA-së për të caktuar delegacione të reja për procesin e Dialogut Strategjik dhe për të vazhduar praninë ushtarake të SHBA-së në vend. Duke marrë parasysh përpjekjet e kaluara nga McGurk dhe Sekretari i ri i Mbrojtjes Austin për të krijuar një korridor terrorist në Sirinë veriore, kërkesa e Husein-it mund të shihet vetëm si një pikënisje për qëllimet e administratës së re të SHBA-së. Në ditët dhe javët në vijim, nuk do të jete për t’u habitur nëse shohim operacione të “flamurit të rremë” (false flag) që do të lejonin SHBA-në të rrisë praninë e saj ushtarake në Irak dhe Sirinë veriore.
Operacionet më famëkeqe të “flamurit të rremë” të kryera nga SHBA-ja për të justifikuar planet e saj për të pushtuar rajone të caktuara u zhvilluan në Gjirin Tonkin të Vietnamit në vitin 1964. Ndërsa e gjithë bota mendoi se imperializmi Perëndimor ishte pastruar nga Azia Juglindore, pasi francezët humbën Luftën e parë të Indokinës në vitin 1954, Ushtria Amerikane pretendoi se anijet torpedo të Vietnamit Verior kishin sulmuar pa provokuar Marinën Amerikane, kurse sulmi çoi në përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në Luftën e Vietnamit. Sidoqoftë, incidenti i Gjirit Tonkin menjëherë shkaktoi një konflikt të ri në rajon që do të zgjaste për 10 vitet e ardhshme. Në deklaratën e tij në filmin dokumentar të vitit 2003, “Mjegulla e Luftës”, Robert McNamara, i cili shërbeu si Sekretar i Shtetit i SHBA-së në periudhën 1961-1968 dhe ishte gjithashtu në detyrë gjatë incidentit në Gjirin Tonkin, zbuloi se sulmi që dyshohet se çoi në fillimin e Luftës së Vietnamit më 4 gusht 1964, nuk kishte ndodhur kurrë. McNamara dëshminë e tij e mbështeti në takimin e tij në vitin 1995 me Gjeneralin Vo Nguyen Giap, i cili komandoi forcat vietnameze gjatë luftës. Ish-Sekretari i Shtetit McNamara tha se Gjenerali Giap gjithashtu kishte konfirmuar se incidenti në Gjirin Tonkin nuk kishte ndodhur kurrë në të vërtetë.
Kush e di, ndoshta do të kemi mundësinë të mësojmë identitetet e vërteta të DEASH-it dhe Brett McGurk-ut në vitin 2050.
* Autori është veteran i gazetarisë, i specializuar në politikën e jashtme turke
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency