Bojken Abazi, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, ishte i ftuari i gazetarit Xhoi Malësia në RTV Ora ku komentoi vendimin e dy qeverive, shqiptare dhe greke, për të dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës çështjen e shumëdebatuar të detit.
Sipas tij, kryeministri është në tentativë të një tradhtie kombëtare.
“Besoj se kryeministri Rama, në diskutimet që ka bërë me Greqinë, ka shkuar shumë larg dhe dua ta them edhe në këtë emision që, për bindjen time të thellë, ai është para një tentative për tradhëti kombëtare. Dhe për këtë unë nuk kam asnjë dyshim.
Xhoi Malësia: Këtë e thoni nga informacionet, nga ajo që keni parë? Se është akuzë më e rëndë që mund të bëhet ndaj një zyrtari shtetëror.
Bojken Abazi: Nuk e them pa e menduar mirë dhe gjatë dhe pa e analizuar atë çfarë ka ndodhur. Ju me të drejtë ngritët pyetjen mbi kufijtë detarë dhe shumë njerëz pyesin se cila është zgjidhja për këtë çështje me Greqinë. Unë dua të ngre këtu pyetjen: cili është problemi? Ne nuk mund të shkojmë te zgjidhja pa identifikuar problemin.
Nga ana juridike ne nuk kemi asnjë kontest me Greqinë. Shqipëria i ka të shpallura 12 milje. Janë të njohura ndërkombëtarisht dhe të zyrtarizuara këto 12 milje përmes depozitimit që ka bërë në OKB. Greqia ka të shpallur dhe zyrtarizuara 6 milje detare dhe Greqia nuk ka ndërmarrë kurrë asnjë akt juridik për të bërë zgjerimin me 12 milje detare.
Pra cili është problemi? Nga ana juridike ne shohim që nuk kemi asnjë problem. Kemi vetëm deklarata të palës greke këto 11 vite. Një herë qeveria e majtë, një herë qeveria e djathtë, ministri i jashtëm, kryeministri që shpallin se do zgjerohen me 12 milje në Detin Jon“.
Kreu i Vetëvendosjes në Tiranë tregoi edhe një rrugë që mund të ndiqte Shqipëria.
“Përmes aneksit 5 të Konventës së Detit, Shqipëria mund të çonte një dekret të Greqisë në Gjykatën e Arbitrazhit edhe pa pëlqimin e Greqisë. Dhe çështja do shqyrtohej edhe pa praninë dhe pjesëmarrjen e Greqisë”, tha Abazi.