Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në vazhdën e fushatës për zgjedhjet presidenciale, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Kumanovë në takim më qytetarët e kësaj komune.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi se nuk kanë dashur dhe nuk do të duan që në të ardhmen të shërbehen me fjalime pompoze, emocionale, pa mbulesë pasi çdo veprim duhet llogaritur mirë se cilat janë dobitë, siç është rasti me përkrahjen e presidentit konsensual i cili bazën e konsensualitetit e ka tek Marrëveshja Paqësore e Ohrit.
“Në vendet si i yni, me komunitete më shumë se një, konsensualiteti është i domosdoshëm, dialogu është i domosdoshëm, marrëveshjet janë të domosdoshme, pasi nuk mund të arrish tek qëllimi siç ndodhën marrëveshjet e arritura rreth çështjes së emrit, Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me palën bullgare, marrëveshja për kryetarin e Kuvendit dhe tani për kryetarin e shtetit për të cilin ka një marrëveshje të dakorduar nga shumica e atyre që kanë legjitimitetin dhe kanë fituar zgjedhjet në këto hapësira”, u shpreh kryetari Ahmeti.
Kryetari i BDI-së bëri të ditur se kandidati opozitar disa teza që i ngre pa mbulesë ose i ka nga mos dija pasi në çdo tubim ai deklaron se ne nuk jemi komb numrash dhe pikërisht për këtë ai duhet ta dijë se Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e kompromisit.
“Në variantin e parë ka qenë shqiptar dhe jo 20 për qind, me dialog, insistim edhe të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë e kemi zëvendësuar shqiptarë me 20 për qind por që nuk prek në substancë materien në mënyrë absolute dhe këto ishin arsye nga ekspertiza që bëheshin me famë dhe ndikime të mëdha ndërkombëtare të cilët porositnin duke thënë: z. Ahmeti pranoni sepse nuk preket substanca e materia dhe mos e rrezikoni të tërë materien dhe ky moment ka historinë e vetë. Tani absolutisht nuk është problem për të shndërruar 20 përqindëshin në shqiptarë, sepse janë tejkaluar shumë paragjykime që kanë patur tek bashkëqytetarët tanë maqedonas dhe nuk do mohuar se paragjykime kemi të dyja palët, por, për fat të keq më shumë kanë bashkëqytetarët tanë maqedonase duke menduar se ne do e marrim shtetin, por ne nuk marrim shtet të huaj, ne duam pjesën tonë, hisen tonë, në shtetin tonë, mos jemi qiraxhi, jemi autokton kemi histori të shkruar me gjak dhe me sakrifica”, potencoi kryetari i BDI-së, Ahmeti.
Fjalë rasti para qytetarëve të Kumanovës pati edhe nënkryetari i BDI-së dhe ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraku, zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.