Autoritetet austriake kanë njoftuar këtë të shtunë arrestimin e një personi 39-vjeçar, i cili dyshohet se ka tentuar të zhvasë një shumë prej 2 milionë eurosh nga prodhuesi i njohur gjerman i ushqimit për fëmijë, HiPP. Arrestimi vjen pas një alarmi ndërkombëtar, ku u zbuluan kavanoza të kontaminuar me helm për minjtë në disa vende të Evropës Qendrore.
Zëdhënësja e Zyrës së Prokurorit Publik në Eisenstadt konfirmoi se i dyshuari u prangos në shtetin e Burgenlandit, në jug të Austrisë. Ndonëse raportimet fillestare të mediave austriake aludonin për një arrestim në Salzburg, autoritetet sqaruan se operacioni u finalizua në Burgenland.
Identiteti i personit nuk është bërë i ditur për arsye hetimore, ndërsa policia po e merr atë në pyetje për të zbardhur rrjetin e mundshëm të bashkëpunëtorëve ose motivet e tjera të këtij akti të rëndë.
Dinamika e shantazhit, 2 milionë euro ose “helmi”
Ngjarja e ka zanafillën në muajin mars, kur një email kërcënues i ishte dërguar kompanisë HiPP. Autori kërkonte pagesën e 2 milionë eurove brenda një afati gjashtëditor. Për shkak të një neglizhence teknike, kompania e vuri re mesazhin vetëm dy javë pasi afati kishte skaduar, pasi emaili ishte dërguar në një adresë të përgjithshme që nuk monitorohej rregullisht.

Rreziku për konsumatorët dhe masat e marra
Autoritetet konfirmuan se në një supermarket “Spar” në Eisenstadt u sekuestrua një kavanoz 190 gramësh me “karrota dhe patate”, i cili përmbante 15 mikrogramë helm për minjtë.
Kavanoza të manipuluar u gjetën në Austri, Republikën Çeke dhe Sllovaki. Kompania tërhoqi menjëherë produktin specifik nga tregu austriak.
HiPP ka garantuar se gama e produkteve në Gjermani nuk është prekur nga ky manipulim.
Policia gjermane është përfshirë gjithashtu në hetim, pasi prodhimi i kavanozave bëhet në fabrikën kryesore në Pfaffenhofen, Bavari. Aktualisht, hetuesit janë në kërkim të një kavanozi të dytë të mundshëm që mund të jetë helmuar në territorin austriak.
Ky rast ka shkaktuar shqetësim të madh te prindërit, por autoritetet theksojnë se falë kontrolleve të imtësishme, asnjë fëmijë nuk ka pësuar dëmtime shëndetësore para se produktet të hiqeshin nga qarkullimi.

