Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar sërish për inceneratorët.
Në një postim në facebook, ai sfidon kryeministrin Rama të tregiojë se kush janë pronarët e inceneratorëve, pasi sipas tij qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush i ka marrë 75 milion euro.
“Pas cdo klithme, pas cdo shantazhi fshihet vetem frika per perballjen me drejtesine! Kush jane pronaret e inceneratoreve? Nje pyetje qe e sfidoj Edi Ramen te pergjigjet. Njerezit kane te drejte te dine, kush i ka marre 75 milione euro”, tha Bardhi.
Më herët gjatë ditës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, paralajmëroi një padi të re në prokurori ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe kryeministrit në lidhje me çështjen e inceneratorëve.
Pas zgjedhjeve parlamentare, kryetari i PD tha se organet vendase të drejtësisë dhe struktura të specializuara do të gjurmojnë edhe jashtë vendit paratë e përfituara nga aferat korruptive në Shqipëri.
Në daljen për media nga selia e PD-së, kreu i opozitës tha se kryebashkiaku i tiranës dhe kryeministri hodhën në kosh projektin e Bankës Botërore për të zgjedhur kompani të dyshimta me kosto më të lartë.
Basha vuri në dukje se përveç problemeve me procedurat e ndjekura, pronarët e kompanive të inceneratorëve që po marrin miliona euro nga buxheti i shtetit kanë edhe precedentë dhe lidhje kriminale.
Sipas Bashës, skandali i inceneratorëve po mbulohet duke përdorur miliona euro të marra nga paratë e shqiptarëve për propagandë me qëllim mashtrimin e qytetarëve.