Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkëbisedoi me disa të rinj të Vaut të Dejës ku i prezantoi 3 shtyllat kryesore me anë të cilave do të mundësojë që rinia shqiptare të ketë të gjitha mundësitë të arsimohet dhe të punësohet në vendin e vet me paga të mira, me dinjitet dhe të shijojë jetën e të ndërtojë këtu të ardhmen e vet duke përfshirë familjen.
“Ai e ka mendjen të sjelli punëtorë nga Bangladeshi, ndërsa unë jam i vendosur të sjell investitorë nga Gjermania, nga Austria, nga Europa për të punësuar dhe për të mbajtur rininë e Vaut të Dejës, rininë Shkodrane, rininë Shqiptare këtij në vendin e tyre pranë familjeve të tyre” u tha Basha.
Një tjetër prioritet është dhe ulja e taksave dhe nxitja e një klime miqësore ndaj biznesit
“Shqiptarët e paguajnë naftën njësoj si suedezët dhe banorët e Singaporit. Jemi te 3 vendet me naftën më të shtrenjtë në botë. Energjia elektrike, meqë jemi edhe afër fundit të kaskadës së Drinit këtu, afër hidrocentralit të Vaut të Dejës. Jemi afër hidrocentralit të Vaut të Dejës që prodhon energji pafund, është dhe pronë publike, pronë shtetërore dhe prapë energjinë shqiptarët e paguajnë sa qimet e kokës.
Ulja e taksave, nxitja e një klime miqësore ndaj biznesit, kontakti me korporatat e mëdha europiane për interesat e tyre sepse ata nuk vijnë për bamirësi” tha Basha.
Kreu i opozitës përsëriti se pjesë e planit është edhe krijimi i vendeve të punës me paga dinjitoze për të gjithë studentët pas diplomimit, e cila do të arrihet në bashkëpunim me Aleancën e Universiteteve Europiane.
Mbështetje me bursa do të ketë edhe për studentët që nuk kanë mundësi ekonomike për t’u shkolluar.