Bayerni Munichu e ka eliminuar skuadrën e Barcelonës nga Liga e Kampionëve. Skuadra gjermane në ndeshjen e fundit të Grupit E, ka triumfuar 3:0 në shtëpi ndaj Barcelonës që për herë të parë pas 21 vjetësh është eliminuar në fazën e grupeve të kësaj gare elitare.
Thomas Mueller (34’), Leroy Sane (43’) dhe Jamal Musiala (62’) shënuan për fitoren e gjashtë të Bayernit në po aq ndeshje të luajtura në fazën e grupeve të Championsit. Me rezultatin identik, Bayerni e pati mposhtur Barcelonën edhe në ndeshjen e luajtur në “Camp Nou”.
Me këtë fitore, Bayerni përfundoi i parë në grup me 18 pikë derisa Barça mbeti e treta me shtatë sosh dhe do të luajë në Ligën e Evropës. Pozita e dytë në këtë grup i ka takuar Benficas që falë fitores 2:0 ndaj Dynamo Kievit ka tubuar tetë pikë dhe ka avancuar në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve.