Bërns: Qeveria të formohet në afatet e parashikuara

 296 total views,  1 views today

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shkup, Kejt Mari Bërns në një bisedë ekskluzive për gazetën “KOHA”, ka folur për aktualitetin politik në vend, formimin e Qeverisë së re, si dhe për idenë e BDI-së për kryeministër shqiptar. Ajo vlerëson se duke pasur parasysh situatën me krizën shëndetësore me Covid-19, liderët e partive politike duhet t’i respektojnë afatet e parapara dhe sa më shpejt t’i formojnë institucionet e vendit.

“Ne presim që partitë të mblidhen dhe t’iu përmbahen afateve. Duke pasur parasysh krizën me COVID-19 dhe çështjet e tjera të rëndësishme me të cilat përballet vendi, arritja e marrëveshjes për një qeveri të re që do të jetë në gjendje të zgjidhë këto çështje, është prioritet”, tha për gazetën “KOHA”, ambasadorja Bërns. E pyetur për idenë e BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar, ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kejt Mari Bërns thotë se sistemi pluralist i Maqedonisë së Veriut mundëson zgjedhjen e kryeministrit me votat e shumicës së deputetëve, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Varet nga shumica në parlament për të votuar qeverinë e ardhshme. Kualifikimet e caktuara të kryeministrit dhe aftësia e tij ose saj për të marrë mbështetjen e një shumice të deputetëve janë, për nga natyra e sistemit tuaj parlamentar, faktorët vendimtarë këtu, pavarësisht përkatësisë etnike ose politike”, thotë ambasadorja amerikane në Shkup. Duke folur për prioritetet që duhet të ketë qeveria e ardhshme, ambasadorja Kejt Mari Bërns, thotë se ajo duhet ta shfrytëzojë momentin.

“Qeveria e re do të duhet t’i përcaktojë prioritetet e saj. Nga këndvështrimi ynë, ne shpresojmë që ajo do të synonte ta kapitalizojë momentin e mundësuar nga anëtarësimi në NATO dhe përparimi drejt BE-së. Implementimi i reformave të nevojshme dhe adresimi i çështjeve të sundimit të ligjit dhe korrupsionit, përfshirë administrimin e drejtësisë pa pandëshkueshmëri, do të jenë vendimtare për këtë proces. Gjëja më e rëndësishme është të mos humbni vrullin”, tha për gazetën “KOHA”, Kejt Mari Bërns.

Nga ambasadorja amerikane në Shkup, gazeta Koha ka kërkuar të komentojë edhe mohimin e rezultateve zgjedhore nga Koalicioni ASH-Aletrantaiva. “Koalicioni opozitar i komunitetit shqiptar ASH/Alternativa ka kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve. Cili është vlerësimi juaj për përkushtimin e Selës në angazhimin euro-atlantik të vendit?- pyetëm ambasadoren Bërns, e cila u përgjigj: “Ne do të punojmë me secilën palë ose parti që ka qëllimin ta shohë Maqedoninë e Veriut të vazhdojë rrugën së saj Euro-Atlantike”.

Nga ambasada e SHBA-së në Shkup, bëjnë të ditur se deri tani kanë ndihmuar Maqedoninë eVeriut me 2.7 milionë dollarë, për t;u përballur me pasojat e krizës të shkaktuar nga pandemia e covid 19. “Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me mbi 2.7 milion dollarë për të shtuar përgjigjen kombëtare ndaj COVID-19 në Maqedoninë e Veriut. Ndihma amerikane ka mbështetur përpjekjet qeveritare, përfshirë ato të udhëhequra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit dhe Shkencës; Komisioni Shtetëror Zgjedhor; dhe autoritetet e zbatimit të ligjit, gjyqësore dhe inspektimit. Ne gjithashtu mbështetëm nismat e sektorit privat, siç janë ato të udhëhequra nga institucionet e mikrofinancave, si dhe ato të udhëhequra nga organizatat e shoqërisë civile, përfshirë kapitujt kombëtar dhe lokal të Kryqit të Kuq”, ka thënë në intervistën e saj për gazetën Koha, ambasadorja amerikane në Shkup, Kejt Mari Bërns. 

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •