Në jetën private është e qetë dhe miqësore, ndërsa në kafaz është dominuese dhe agresive. Kështu ka shkruar gazeta e madhe zvicerane “Blick” për luftëtaren shqiptare, Bestare Kicaj.
“Blick” së fundi ka publikuar një intervistë të gjatë me Bestaren, të njohur si “Besti”. Sipas gazetës së njohur, Bestarja është njëra prej vetëm dy femrave që i praktikojnë Artet Marciale të Përziera (MMA) në mënyrë profesionale në Zvicër.
Bestarja me prejardhje është nga Kosova, ndërsa jeton në Zuerich.
“Jam miqësore, simpatike, e dobishme dhe nuk dua të dëmtoj askënd”, ka thënë Bestarja, kur është pyetur se si është në jetën private.
“Shumë dominuese dhe agresive”, është përgjigjja e 33-vjeçares në pyetjen se si është në kafaz. “Unë dua të sundoj dhe të shkatërroj kundërshtaren time”.
Shumë njerëz e vlerësojnë MMA-në si sport brutal. Madje ka disa që nuk e vlerësojnë fare sport. Por Kicaj mohon që MMA-ja të jetë brutale.
“Në shikim të parë sporti ynë duket shumë brutal. Për të, ka shumë më tepër se kaq. MMA është miksim i shumë arteve marciale. Teknika, ana mendore, taktika, të gjitha këto ndikojnë në fitore apo humbje. MMA duket shumë e thjeshtë, por nuk është”, ka theksuar Bestare Kicaj për “Blick”.
Një pjese të njohësve të sportit u pengon fakti se në MMA lejohet që të goditet kundërshtari, edhe pasi ai të jetë në dysheme. Bestarja ka një shpjegim për këtë.
“Unë shijoj të shfaq aftësitë që i kam mësuar, edhe nëse kjo do të thotë se duhet të godas kundërshtaren që është e shtrirë në dysheme. Kjo nuk është aq e lehtë, pasi edhe nëse jeni në dysheme ju mund të fitoni. Për këtë gjithnjë duhet të jemi të kujdesshëm”.
Bestarja vlerëson se futbolli dhe skijimi janë sporte më të rrezikshme se Artet Marciale të Përziera. Sipas saj, në futboll e skijim ka më shumë lëndime se në MMA. Ajo pranon se duket keq kur ka gjak te ndonjë luftëtar. Ka treguar se e ka thyer dorën në këtë sport.
Kicaj e di se ka paragjykime ndaj garuesve në MMA. Paragjykimet ndaj saj rriten për faktin se është nga Kosova. Shpesh dëgjon t’i thuhet: Tipike nga Ballkani.
Bestarja është e lindur në Kosovë, por familja e saj jeton në Zvicër që nga vitet shtatëdhjetë. Prindërit e saj ishin në pushim në Kosovë kur ajo lindi. Ajo megjithatë është përballur me paragjykime në Zvicër dhe me qasjen ndaj “të huajve”. Tregon se pasi nuk ka folur mirë gjermanisht, shpesh kanë qeshur me të në klasë. Është ndier e paforcë ndërkohë që gjendej mes dy kulturave.
Ajo është rritur në Winterthur së bashku me dy vëllezër dhe me motrën. Me karate ka nisur si tetëvjeçare. Por më pas kishte një krizë, në vitin 2012.
“Në vitin 2012 kam pasur një krizë jetësore. Lidhja që kisha u prish dhe unë rashë në anoreksi. Në retrospektivë, mund të flasim për depresion”, ka treguar Bestare Kicaj.
Ajo ka treguar se si kaloi krizën.
“Falë arteve marciale, atëherë zbulova MMA-në dhe stërvitja ma shpëtoi jetën. Papritmas çdo gjë të grumbulluar mund ta lija në dyshekët e ushtrimeve. Mendimet e këqija u zhdukën papritur dhe unë po gëzohesha përsëri”.
Bestarja tashmë ka zhvilluar gjashtë luftëra profesionale në MMA. Ka fituar katër prej tyre. Ka luftuar në Japoni para 15 mijë shikuesve. Është paraqitur në kafaz edhe në SHBA e Gjermani. Por jo edhe në Zvicër.
MMA-ja po rritet edhe në Zvicër dhe tashmë janë rreth 300 garues të kësaj disipline.
Për Kicajn, MMA-ja është më shumë se sport. Ajo thotë se stërvitjet rrisin vetëbesimin e femrave. Para se të paraqitej koronavirusi, ajo ofronte kurse të MMA-së për gra. Sipas Bestares, gratë me ushtrime në MMA e kuptojnë se munden dhe se janë të forta.
“Shumë gra nuk kanë guxim. Unë përpiqem të ndryshoj këtë. Kam parë gra që ishin me të vërtetë në nivel të ulët dhe që më pas ishin në gjendje të kenë shumë forcë e vetëbesim falë stërvitjeve”.
Asaj i është dashur kohë e gjatë për t’i bindur prindërit se karriera në MMA ishte gjë e duhur. Bestarja thotë se karriera në MMA ia ka forcuar personalitetin.
“Falë MMA-së, kam qenë në gjendje të zgjidh problemet që kisha. Tani problemeve i qasem në mënyrë më analitike. Mendoj se si mund t’i zgjidh ato dhe nuk lejoj të bie poshtë për shkak të tyre. Pavarësisht se sa poshtë jeni, ju duhet të gjeni rrugën tuaj sërish. Në jetë dhe në kafaz”, thotë Bestare Kicaj.