Presidenti amerikan, Joe Biden ka nënshkruar vendimin që të vazhdohet edhe një vit “emergjenca kombëtare” për Ballkanin Perëndimor.
Siç thuhet në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, masa është vazhduar me arsyetimin e bazuar në “aktet e dunës ekstremiste” dhe “aktivitet pengues”,
Për herë të parë, vendimi është marrë më 26 qërshor të vitit 2001.
“Më 26 qershor 2001, me Urdhrin Ekzekutiv 13219, Presidenti shpalli një emergjencë kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor në përputhje me Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente (50 U.S.C. 1701 e më tej) për t’u marrë me kërcënimin e pazakontë dhe të jashtëzakonshëm sigurisë kombëtare dhe Politikës së Jashtme të ShBA-së, e përbërë nga veprimet e personave të përfshirë në, ose që ndihmojnë, sponsorizojnë ose mbështesin, (i) dhunën ekstremiste në ish-Republikën e Maqedonisë (ajo që tani është Republika e Maqedonisë së Veriut) dhe diku tjetër në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, ose (ii) bëjnë veprime që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje ose Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të datës 10 qershor 1999, në Kosovë.” – thuhet në vendim.
Masa, arsyetohet tutje si vijon:
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara…
Prandaj, në përputhje me nenin 202(d) të Aktit Kombëtar të Emergjencave (50 U.S.C. 1622(d)), po e vazhdoj për 1 vit urgjencën kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”.
Ndryshe, në qershor të vitti 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin zgjeruar fushëveprimet e kësaj mase, ku mes tjerash, thuhej se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, janë përballur në dy dekadat e fundit me korrupsion dhe veprime që mund të pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.
Ndërkohë, vlen të theksohet se situata gjatë vitit të kaluar, ka qenë e tensionuar edhe në veriun e të Kosovës.
Këtu, po ashtu risjellim në vëmendje sulmin terrorist të kryer nga një grup në krye me Milan Radojiçiq.
Më 24 shtator 2023, ky grup vrau zyrtarin policor kosovar, Afrim Bunjaku. Radojiçiq në anën tjetër, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe person i afërt me Aleksandër Vuçiq, është ende i lirë, anise INTERPOL ka shpallur urdhërarrest për të.