Pretendimet e mëparshme rreth azilkërkuesve shqiptarë në Britani janë hedhur poshtë ditën e djeshme, gjatë një vendimi që është konsideruar si një ‘kthesë 180 gradë’ nga mediat vendase.
Në një intervistë për Euronews Albania, avokati Naim Hasani theksoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Britanisë ishte e jashtëligjshme pasi binte ndesh me Konventën Ndërkombëtare.
“Marrëveshja që ish-ministrja e Brendshme Britanike bëri me Ministrin e Shqipërisë, ishte një marrëveshje flagrante në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, pasi shkruhet që çdo person që i rrezikohet jeta në vendin e tij, mund të largohet dhe të shkojë në vend të sigurt. Marrëveshja Shqipëri-Britani ishte tërësisht e jashtëligjshme dhe ka bërë mirë qeveria Britanike që e ka hedhur poshtë”- u shpreh avokati.
Më tej, ai përshëndeti vendimin e Britanisë për hedhjen poshtë të kësaj marrëveshje ndërsa shton se nëse do miratohej, qeveria britanike do të përballej me një betejë në Gjykatë.
“Qeveria e mëparshme britanike i la një betejë të ashpër Liz Truss, që po zhvillohet në Gjykatën e Lartë për depërtimin e emigrantëve të paligjshëm. Kam përshtypjen se Truss nuk donte të përballej me një betejë tjetër ligjore, për të vlerësuar ligjshmërinë e kësaj marrëveshje me Shqipërinë, ku ishte largimi i personave që vinin në mënyrë të paligjshme”- tha ai më tej, ndër të tjera.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ish-ministrja e brendshme britanike, Priti Patel nënshkruan në muajin gusht ujdinë sipas të cilës do të përshpejtoheshin procedurat e deportimit të shtetasve shqiptarë që kishin kaluar ilegalisht kanalin e La Manshit.
Procedura e përshpejtuar, sipas paktit, do të ndiqej edhe ndaj atyre që kishin aplikuar për të përfituar statusin e azilantit.
Por, autoritetet britanike thonë se nuk mund ta zbatojnë këtë marrëveshje pasi bie në kundërshtim me legjislacionin vendas. Pohimi është bërë nga departamenti legjislativ i Ministrisë së Brendshme britanike, që u ka kthyer përgjigje Organizatave të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut.