Ky është takimi i dytë i tillë i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së me udhëheqësit e rajonit, pas një darke joformale në maj në Bruksel
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shtroi një darkë joformale për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
Ky është takimi i dytë i tillë i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së me udhëheqësit e rajonit, pas një darke joformale në maj në Bruksel.
Takimi në New York diskutoi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet me BE-në si dhe përgatitjet për samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 5 dhe 6 tetor në Slloveni.
“Kjo siguroi një mundësi për të diskutuar pritjet në lidhje me pranimin në BE. Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi nevojën e angazhimit të fortë dhe partneritetit në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian dhe shtetet e saj anëtare në kapërcimin e dinamikës aktuale dhe ecjen përpara të procesit”, tha Shërbimi evropian për punë të jashtme (EEAS).
Në takim morën pjesë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviç.