Dikur një qendër ku lulëzonte tregtia ndërkombëtare, Hegra (e njohur edhe si Mada’in Saleh) nuk është prekur për gati 2 000 vjet. Tani ajo është hapur për herë të parë për turistët. Shumë prej atyre që e vizitojnë vërejnë se ndërtimet e gdhendura në shkëmb në Hegra i ngjajnë “simotrës” së saj, Petra, disa qindra kilometra në veri, në Jordani. Hegra ishte qyteti i dytë i mbretërisë Nabataean dhe në të mendohet se fshihen sekretet e një qytetërimi të lashtë pothuajse të harruar.
E vendosur për të zhvendosur fokusin e ekonomisë, Arabia Saudite po i kushton vëmendje turizmit si burim i ri të ardhurash. Nafta aktualisht përbën 90 për qind të të ardhurave të eksporteve dhe rreth 40 për qind të PBB-së. Në vitin 2016, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman shpalli Vizionin Saudit 2030, një udhërrëfyes për vendin gjatë dy dekadave të ardhshme që synon ta transformojë atë në një qendër globale për tregti dhe turizëm që lidh Afrikën, Azinë dhe Evropën.
Arabia Saudite lëshoi vizat e para turistike në shtator 2019, çka u dha mundësi vizitorëve të rastësishëm pa ndonjë qëllim biznesi ose fetar të hynin në vend. Hegra, me arkitekturën e saj misterioze, tërheqëse, është një zgjedhje e zgjuar. Ajo është krejt e panjohur për të huajt, pavarësisht nga ngjashmëritë e saj me Petran, një sajt që mbledh gati një milion vizitorë në vit dhe mund të klasifikohet si vend i rrezikuar i trashëgimisë botërore nëse nuk i jepet kujdesi i duhur.
Ndërsa Hegra po promovohet për turistët për herë të parë, historia që ende duket se humbet është ajo e perandorisë antike përgjegjëse për ekzistencën e saj. Nabatasit janë padyshim një nga qytetërimet më enigmatikë dhe intrigues për të cilët shumë nuk kanë dëgjuar kurrë më parë.
Ata ishin nomadë që banonin në shkretëtirë dhe u bënë mjeshtra të tregtisë, pasi shfrytëzuan rrugët përmes Arabisë dhe Jordanisë në Mesdhe, Egjipt, Siri dhe Mesopotami. Karvanët e tërhequr nga deve të ngarkuar me erëza dhe temjan, rrënjë xhenxhefili, sheqer dhe pambuk kaluan nëpër Hegra, një qytet krahinor në kufirin jugor të mbretërisë. Nabatasit u kthyen në furnizues të mallrave si temjani dhe mirra, që vlerësoheshin shumë në ceremonitë fetare.
“Arsyeja pse u shfaqën dhe u bënë të reja në burimet e lashta është se ata u bënë të pasur,” thotë Laila Nehmé, një arkeologe dhe bashkëdrejtore e Projektit Arkeologjik Hegra, një partneritet midis qeverive franceze dhe saudite. “Kur bëhesh i pasur, bie në sy“, citohet ajo nga Smithsonian Mag.
Nabatasit si popull lulëzuan nga shekulli IV p.e.s. deri në shekullin e I pas Krishtit, kur Perandoria Romake në zgjerim aneksoi dhe përfshiu një pjesë të madhe të tokave të tyre, e cila përfshinte Jordanin e sotëm, gadishullin Sinai të Egjiptit dhe pjesë të Arabisë Saudite, Izraelit dhe Sirisë. Gradualisht, identiteti nabataeas humbi plotësisht. E harruar nga Perëndimi me shekuj, Petra u “rizbulua” nga eksploruesi zviceran Johann Ludwig Burckhardt në 1812, megjithëse fiset beduine vendase kishin jetuar në shpella për breza. Ndoshta mund të thuhet se Petra u bë e njohur te shumica e perëndimorëve për herë të parë një shekull e gjysmë më vonë, pasi shërbeu si skena ku u xhirua Indiana Jones dhe Kryqëzata e Fundit, në 1989.
Nabateasit kanë lënë pas shumë pak histori të dorës së parë. Me popullaritetin e jashtëzakonshëm të Petras sot, është e vështirë të imagjinohet sa pak dimë për krijuesit e saj. Pjesa më e madhe e asaj që kemi mësuar për nabateasit vjen nga dokumentet e të huajve: grekët e lashtë, romakët dhe egjiptianët.
Ashtu si Petra, Hegra është një metropol i kthyer në nekropol: shumica e strukturave të mbetura që mund të shihen sot janë varre. Pjesa më e madhe e mbetjeve arkitektonike të qytetit pret të gërmohet ose mund të zhytet nën rërën që gryumbullon koha. Një nga vendet e vetme ku ekzistojnë fjalët e nabateasve është në mbishkrimet mbi hyrjet e disa varreve në Hegra.
Nabateasit ishin pionierë të lashtë në arkitekturë dhe hidraulikë, pasi e shfrytëzuan mjedisin e shkretëtirës në dobi të tyre. Uji i shiut që derdhej nga malet e thepisura u mblodh për përdorim të mëvonshëm në cisternat e nivelit tokësor. Tubat e ujit natyror u ndërtuan rreth varreve për të mbrojtur fasadat e tyre nga erozioni, të cilat i kanë ruajtur mirë mijëra vjet pas ndërtimit të tyre.
Hegra ka 111 varre të gdhendura me kujdes, ndërsa në kryeqytetin nabataean të Petrës janë 600 të tilla. Por varret në Hegra janë në gjendje shumë më të mirë, gjë që u jep mundësinë vizitorëve të shikojnë nga afër qytetërimin e harruar. Arkitektura klasike greke dhe romake ndikoi qartë në ndërtim, dhe shumë varre kanë kolona me krye.
Sfinksat dhe shqiponjat me krahë të përhapur – simbole të rëndësishme në botën greke, romake, egjiptiane dhe persiane – qëndrojnë mbi hyrjet e varrit për t’i mbrojtur ata nga të huajt. Të tjerët ruhen nga krijesa të ngjashme me Meduzat.
Mbishkrimet, të shkruara në variant pararendës të arabishtes moderne, kanë data – një minierë ari për arkeologët dhe historianët. Varri më i vjetër në Hegra është i vitit 1 p.e.s. dhe më i fundit nga viti 70 pas Krishtit, çka i lejon studiuesit të plotësojnë boshllëqet në afatin kohor të nabateasve, megjithëse ndërtimi i një panorame të qartë është ende i vështirë.
Një kapitull i ri në historinë e Hegras, megjithatë, po fillon, pasi udhëtarëve u lejohet akses në të për herë të parë. Më parë, më pak se 5 000 sauditë vizitonin Hegran çdo vit, dhe turistët e huaj duhej të merrnin leje speciale nga qeveria për ta vizituar. Më pak se 1 000 turistë të huaj në vit e bënin këtë gjë. Por tani është shumë e thjeshtë, pasi mund të blini një biletë në internet për 95 rial saudit (rreth 25 dollarë). Autobusët i çojnë vizitorët në shtatë zona, ku Al Roëah, ose rrëfyesit e historisë, ndihmojnë në ringjalljen e nekropolit. Guidat bëhen në gjuhën arabe dhe në anglisht.