Largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian është përgjegjës për rreth një të tretën e rritjes së faturave të ushqimeve që nga viti 2019, ekuivalente me rreth 250 paund. Një vlerësim ky i nxjerrë nga studimet e kryera nga Shkolla Ekonomike e Londrës dhe universitete të tjera.
Britania po lufton me inflacionin për më shumë se një vit, i nxitur pjesërisht nga rritja më e lartë e çmimeve të ushqimeve që nga viti 1977, me çmimet që u rritën me më shumë se 19% vitin e kaluar.
Edhe pse Londra dhe Brukseli kanë një marrëveshje që lejon tregtimin e ushqimeve pa doganë, barrierat ndaj eksporteve dhe importeve në formën e burokracisë, të njohura si barriera jotarifore, shkaktojnë vonesa dhe kosto më të larta.
Studimi i Qendrës për Performancën Ekonomike – CEP krahasoi ndryshimet e çmimeve në produktet ushqimore të importuara nga Bashkimi Europian me çmimet e ushqimeve të importuara nga më larg.
Para Brexit, çmimet e këtyre produkteve shënonin tendenca të ngjashme, por pas Brexit pati një rritje relative të çmimeve të produkteve më të ekspozuara ndaj importeve nga BE-ja, dhe kjo vazhdoi në vitin 2023.
Studimi zbuloi se nga janari 2022 deri në mars 2023 çmimi i ushqimeve, të cilat ishin të ekspozuara ndaj Brexit, u rritën me rreth 3.5 pikë përqindje më shumë se ato që nuk ishin.
Duke marrë parasysh ndikimin në çmimet e ushqimeve nga dhjetori 2019, pak para se Britania të largohej zyrtarisht nga BE, studiuesit vlerësuan koston e Brexit për familjet britanike në 8 milionë euro, ose 250 paund për familje. Nga dhjetori 2019 deri në mars 2023, sipas studimit, çmimet e ushqimeve në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me pothuajse 25 pikë përqindjeje. Sipas CEP, po të mos ishte Brexit, kjo shifër do të ishte 8 pikë përqindje, pra 30% më e ulët.
Produktet me barriera të larta jotarifore, si mishi dhe djathi i importuar nga BE-ja, panë rritje të çmimeve rreth 10 pikë përqindjeje më të larta se produktet e ngjashme që nuk u ekspozuan ndaj Brexit pas janarit 2021, kur filloi të zbatohet Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit të Britanisë me BE – në.
Dorina Kurtaj / SCAN