Britani e Madhe: Dyshime për presion qeveritar te shitja e Newcastle

 427 total views,  1 views today

Qeveria britanike dyshohet se ka shtyrë për shitjen e Newcastle tek Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF).

Lajmi konfirmohet nga dokumentet e reja të publikuara nga Departamenti i Tregtisë Ndërkombëtare në lidhje me Gerry Grimstone, në atë kohë Ministër i Investimeve.

Në gusht 2020, Grimstone garantoi presidentin e atëhershëm të Premier League, Gary Hoffman, përkushtimin e tij ndaj strategjisë për blerjen e klubit anglez.

Dokumentet tregojnë se Grimstone ka punuar shumë për të siguruar marrjen e klubit nga arabët, si një lidhje midis Premier League dhe qeverisë në kërkim të një “zgjidhjeje” të mundshme.

Dëshmitë e përpjekjeve të Grimstone kundërshtojnë më tej këmbënguljen e përsëritur të qeverisë britanike se nuk kishte asnjë përfshirje në procesin e blerjes.

Kur dolën thashethemet e para për këtë çështje, një zëdhënës i qeverisë tha se Grimstone po përmbushte rolin e tij për të “vazhduar me investimet e mëdha që mund të vijnë në Mbreterinë e Bashkuar”.

Dokumentet e lëshuara nga Departamenti i Tregtisë Ndërkombëtare përbëhen nga katër memorandume që Grimstone u dërgoi zyrtarëve në gusht 2020, duke i informuar ata për kontaktin e tij me Hoffman.

Nga këto dokumente del qartë se Grimstone po kërkonte një mënyrë për të bërë që Premier League të miratonte shitjen, duke e konsideruar bllokimin e negociatave si potencialisht “të turpshëm” për marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Arabisë Saudite.

Problemi kryesor ishte rreziku që pronësia e re saudite të mos merrte dritën jeshile nga Premier League, kryesisht për shkak të piraterisë shtetërore në vend mbi të drejtat televizive sportive të blera nga transmetuesit e Katarit.

Pavarësisht përpjekjeve të Grimstone, marrëveshja dështoi në vitin 2020.

Në tetor 2021, Premier League më pas njoftoi se ishte gjetur një mënyrë për të miratuar blerjen, pasi PIF kishte dhënë “garanci ligjore detyruese që Arabia Saudite nuk do të kishte kontrolluar drejtpërdrejt Newcastle”.