Ka ikur 6 herë me gomone në Angli, i riu: Është shumë e vështirë në fillim

 6,521 total views,  1 views today

Shqiptarët po tentojnë të ikin drejt Anglisë, prej disa kohësh ata po përdorin gomonet për të arritur në destinacionin që duan.

Lidhur më këtë situatë në studion e “Shqipëria Live”, u zhvillua një bisedë me Danielin, i cili ka ikur në Angli prej shumë vitesh.

Ai tregoi se ka ikur me gomone pesë ose gjashtë herë, ndërsa rruga e parë është bërë në moshën 22-vjeçare.

Danieli ka ikur dhe është rikthyer në vendin e tij ku ka hapur edhe një biznes gjatë vitit 2018, por pa sukses.

“Hapa një biznes por nuk funksionoi. Të gjitha nuk funksionojnë atje, realiteti i keq. Një rrogë që punoja 17 orë, ishte shumë e lodhshme dhe taksa e shpenzime, prandaj nuk ia dola”, u shpreh emigranti.

Pas rikthimin në Shqipëri ai humbi edhe letrat, prandaj sot e kësaj dite ai ka ikur sërish në Angli ku po punon.

“Unë aktualisht jam pa letra. Në Shqipëri jeton për mbijetesë por unë kam lindur për të jetuar dhe jo për të mbijetuar”, tha ai.

“Njerëzit kur e shohin herën e parë zhgënjehen se e shohin në foto, por është shumë e vështirë në fillim. Kam punuar 12 orë për 30 paund në fillimet e mia”, shtoi më tej.

Njëkohësisht ai tregoi një nga rastet më të vështira gjatë udhëtimit me gomone, ku mjegulla i ka penguar për të mbërritur dhe kanë qëndruar për gjashtë orë në det.

“E kam provuar pesë ose gjashtë herë me gomone. Ka pas raste që na kanë kapur. Një nga rastet kishte shumë mjegull dhe s’dinim nga të shkonim, kemi ndenjur gjashtë orë në ujë. Rreziku ekziston në çdo kohë”, u shpreh Danieli.