Sultana Tafadar, nga një familje emigrante me origjinë nga Bangladeshi në Angli më 21 mars u emërua në “Queen’s Counsel” (Avokati i Mbretëreshës)
Londër
Sultana Tafadar, e cila është fëmija e një familjeje emigrante me origjinë nga Bangladeshi u bë “avokatja e parë për çështje penale me shami” e emëruar “Queen’s Counsel” (Avokati i Mbretëreshës), posti më i lartë që mund të mbajë një avokat dhe në ditët e sotme ajo drejton nismën ndërkombëtare për të luftuar ndalimin e shamisë ndaj avokatëve në Francë.
Sultana Tafadar, e cila vinte nga një pakicë etnike në Angli dhe u emërua në “Queen’s Counsel” më 21 mars, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tregon historinë e ngritjes së saj në krye të profesionit të saj pavarësisht të gjitha vështirësive që hasi në hyrjen historike të Gjykatës Old Bailey në Londër.
E lindur në një familje nga Bangladeshi në Luton, afër Londrës, Tafadar mban postin e Këshilltares së Mbretëreshës, e cila ka vetëm 1.928 avokatë në të gjithë vendin, të cilët mund të këshillojnë shtetet dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar.
Tafadar tha se procesi i emërimit në këtë post nuk ishte i lehtë dhe ishte një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë. “Nëse shikoni numrin e grave të emëruara në Këshillin e Mbretëreshës, numri nuk është aq i lartë. Vetëm 575 gra janë emëruar për Queen’s Counsel. Nëse shikoni nga raca e zezë dhe të pakicave etnike, aktualisht janë emëruar rreth 34 gra. Kur bëhet fjalë për gratë me shami, jemi vetëm 2 prej nesh dhe unë jam avokatja e parë penale me shami”, tha ajo.
Duke u shprehur se është shumë e lumtur që është emëruar në këtë pozicion, Tafadar tha: “Është ëndrra e çdo avokati të jetë Queen’s Counsel. Jam absolutisht e kënaqur që jam emëruar në këtë pozicion”.
– “Shumicën e herave pyesnin nëse je përkthyese, por nuk pyesnin nëse je avokate e çështjes”
Duke theksuar se gratë me prejardhje të pakicave etnike dhe gratë me shami përballen me vështirësi të ndryshme në jetën e biznesit, Tafadar tha: “Kur fillova këtë punë, isha e vetmja me shami në gjykatën penale dhe shkoja në gjykatë. Shpesh ndodhte një heshtje e madhe në gjykata dhe ata nuk ishin të sigurt se kush isha dhe çfarë po bëja”.
“Ata pyesnin nëse isha e akuzuar dhe shpesh nëse isha përkthyese, por nuk pyetnin: ‘A jeni ju avokate e çështjes?. Pra, ka sfida që njerëzit bëjnë supozime se kush jeni, që ju duhet t’i kapërceni. Ata bëjnë supozime për aftësinë tuaj dhe duhet kohë për t’i thyer ato supozime. Këto janë llojet e sfidave me të cilat unë jam përballur gjatë gjithë karrierës sime”.
– “Praktikat diskriminuese në Francë janë mohimi i lirisë së shprehjes”
Tafadar tha se ishte një ironi shumë e trishtueshme, kur iu kujtua vendimi i Gjykatës së Lartë Franceze se “ndalimi i shamisë në profesionin e avokatit nuk përbën diskriminim” rreth dy javë përpara se të emërohej në Këshillin e Mbretëreshës.
“Unë jam emëruar në Queen’s Counsel në Angli, gjë që tregon se jam në 2 përqindëshin e parë të profesionit ligjor. Kam veshur hixhabin në emërimin tim në këtë pozicion. Avokatët e tjerë mbajnë parukë, por unë jam liruar nga veshja e tyre. Por, në Francë ka një skenar krejtësisht tjetër, pikërisht në anën tjetër të kanalit, avokatet nuk lejohen të shkojnë në gjykatë me shami, gratë nuk lejohen të përmbushin kapacitetin dhe potencialin e tyre të plotë. Gratë nuk lejohen në të gjitha fushat e jetës, jo vetëm në gjykatë. Ata nuk lejohen të merren me sport, nuk lejohen të marrin pjesë në profesionin e tyre në publik”, tha ajo.
Duke deklaruar se këto praktika diskriminuese të Francës janë ekuivalente me diskriminimin e bazuar në gjini, racë dhe fe, Tafadar tha: “Kjo është gjithashtu mohimi i lirisë së shprehjes. Pra, ka më shumë se një të drejtë që shkelet. Është pak e mërzitshme për mua të jem këtu edhe pse e festoj suksesin tim dhe e shijoj atë e di që në anën tjetër të kanalit (Francë) njerëzit nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë nga lloji i mundësive që unë gëzoj”.
– “Ne po aplikojmë në OKB për të luftuar ndalimin e shamisë në Francë”
Tafadar theksoi se ajo është ndër udhëheqëset e fushatës ligjore ndërkombëtare për të luftuar ndalimin e shamisë në zona të ndryshme në Francë.
“Ne i bëjmë thirrje OKB-së që të theksojnë faktin se Franca ka këto ligje dhe politika dhe ne duam të shohim se çfarë mund të bëhet në nivel ndërkombëtar. Ajo që duam të bëjmë është të përfshihemi me organizatat sportive. Organizatat sportive, qofshin Kupa e Botës apo Olimpiada, janë për të gjithë. Është përgjegjësia e saj të sigurojë që të ketë mundësinë për të marrë pjesë dhe Franca së shpejti do të jetë mikpritëse e Olimpiadës”, potencoi Tafadar duke shtuar:
“Nuk ka kuptim që Lojërat Olimpike, të cilat supozohet se përfaqësojnë tolerancën dhe bashkimin e kulturave të ndryshme, të refuzojnë të lejojnë gratë që kanë një besim tjetër të marrin pjesë në lojëra në vendet që organizojnë Olimpiadën. Si lejohet Franca të presë këto lojëra, e cila përjashton njerëzit nga pjesëmarrja në lojëra dhe vepron kundër vlerave dhe idealeve të Lojërave Olimpike?”.
– “Gratë nuk duhet të dorëzohen, ne duhet të vazhdojmë të arrijmë qëllimin tonë”
Tafadar në mesazhin e saj për gratë në mbarë botën të cilat janë të ekspozuara ndaj llojeve të ndryshme të diskriminimit dhe luftojnë me këto vështirësi tha: “Ajo që dua t’u them grave që janë gra të pakicës, grave që janë përballur me të gjitha këto vështirësi për të praktikuar fenë e tyre në mënyrë të dukshme, padyshim që do të keni sfida me të cilat do të përballeni”.
“Megjithatë, është e rëndësishme të këmbëngulni dhe të mos hiqni dorë dhe këto pengesa mund të bëhen pengesa që mund të largohen. Shpresoj të jem shembull, fakti që kam pasur sukses tregon se mund të bëhet. Disa gjëra mund t’i shohim si të pamundura, por janë jashtë dorës tonë. Fatkeqësisht, ka disa struktura të krijuara që na pengojnë të arrijmë potencialin tonë të plotë, por neve na takon të ecim përpara dhe t’i çrrënjosim për të arritur qëllimet tona”, tha Tafadar.