Mbretëria e Bashkuar mund të vazhdojë të flasë me rebelët sirianë edhe pse ata janë në listën e terrorizmit, thotë sekretari i Mbrojtjes.
Qeveria britanike ka mbajtur një takim COBRA këtë mbrëmje mbi rënien e regjimit të Bashar al-Assadit në Siri.
Sekretari i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar tha se ky takim kishte si qëllim të sigurojë një “përqendrim të saktë” për rolin që mund të luajë Mbretëria e Bashkuar për të garantuar një tranzicion paqësor në Siri.
I pyetur nëse përcaktimi i Hayat Tahrir al Sham (HTS) si një grup terrorist në Mbretërinë e Bashkuar mund të ndryshojë së shpejti, John Healey tha se “kjo tash nuk është çështje”.
“Kjo nuk na pengon të flasim me të gjitha palët”, shtoi zyrtari britanik.
“Interesi ynë për HTS është që ata t’i përmbahen premtimeve të tyre për të mbrojtur të drejtat e të gjithë individëve dhe grupeve, për të respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe për të parandaluar që Siria të bëhet një bazë për një kërcënim të ri terrorist”, deklaroi Healey.
Ndryshe, me mbështetjen e rebelëve sirianë tashmë Siria ka zgjedhur si kryeministër të përkohshëm, Mohammed al Bashir.