Një projekt inovativ për të thithur dyoksidin e karbonit nga deti po testohet në bregdetin jugor të Anglisë. Rreth 25% e gazit serrë te emetuar nga aktiviteti njerëzor, absorbohet nga oqeanet.
“Seacure”, financohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar si pjesë e kërkimit të saj për teknologji që luftojnë ndryshimet klimatike. Ekziston një konsensus i gjerë midis shkencëtarëve të klimës se përparësia është ulja e emetimeve të gazrave serrë, shkaku kryesor i ngrohjes globale.
“Qëllimi është të hiqet dyoksidi i karbonit nga uji i detit. Arsyeja për këtë është se ka shumë dyoksid karboni në ujin e detit, më shumë sesa ka në ajër. Nxjerrja e tij nga uji i detit, në vend të ajrit, është një nisje e mirë”, tha profesor, Paul Halloran.
Uji i detit përmban rreth 150 herë më shumë CO2 sesa ajri. Ajo që e bën interesante “Seacure” është se po teston nëse mund të jetë më efikase të tërheqësh karbonin që shkakton ngrohjen e planetit nga deti. Uji i trajtuar më pas kthehet në mjedisin detar.
“Ky hap i procesit është marrja e CO2, nga atmosfera, por nëpërmjet oqeanit, dhe sjellja e tij në fazën ku është i pastër. Kur është i pastër, mund ta kompesoni, mund ta transportoni dhe në fund të fundit mund ta ruani”, shtoi Paul Halloran.
Është një tub që gjarpëron nën plazhin shkëmbor dhe del në Kanalin Anglez, duke thithur ujin e detit dhe duke e sjellë atë në breg. Projekti po përpiqet të zbulojë nëse heqja e karbonit nga uji mund të jetë një mënyrë me kosto efektive për të zvogëluar sasinë e gazit CO2 që ngroh klimën.
Ekzistojnë tashmë teknologji shumë më të zhvilluara të thithjes së karbonit të cilat e largojnë direkt nga ajri por Dr. Paul Halloran, i cili drejton projektin “Seacure”, thotë se përdorimi i ujit në vend të kësaj ka avantazhet e veta.
“Kjo është teknologji e re dhe ne ende po mbledhim të dhënat shkencore për të marrë vendime të mira në lidhje me këtë. Një nga gjërat që po bëjmë janë ato eksperimente të ndikimit mjedisor për t’u siguruar që është përgjegjëse për mjedisin, ajo që po bëjmë”, u shpreh më tej profesor Halloran.
“Seacure” ka bërë të ditur se teknologjia kishte potencialin të zgjerohej masivisht për të hequr 14 miliardë ton CO2 në vit nëse përpunohej 1% e ujit të detit të botës. Ekipi ka bërë të ditur se procesi përballet me sfida, duke përfshirë kërkesat dhe kostot e larta të energjisë.
Projekti “Seacure”, drejtohet nga Instituti i Sistemeve Globale i Universitetit të Exeterit, së bashku me Laboratorin Detar të Plymouth, Universitetin Brunel të Londrës dhe Eliquo Hydrok.
Qeveria ka ndarë 3 milionë paund fonde për këtë projekt, i cili shihet si jetik në përpjekjen më të gjerë për të arritur emetime neto zero dhe për të frenuar ngrohjen globale.