Britania tha të premten se nuk do t’i vazhdojë përpjekjet për ta vënë në pikëpyetje juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) me seli në Hagë për të lëshuar urdhërarreste për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Në maj, prokurori i GjNP-së, Karim Khan, tha se kishte kërkuar që të lëshoheshin urdhërarreste për Netanyahun, Gallantin dhe tre udhëheqës të Hamasit nën dyshimin për krime lufte, raporton agjencia “Reuters”.
Dokumentet e gjykatës, të publikuara në qershor, tregonin se Britania, anëtare e GjNP-së, kishte paraqitur një kërkesë në këtë institucion për të ofruar vërejtje me shkrim për atë nëse “gjykata mund ta ushtrojë juridiksionin mbi shtetas izraelitë, në rrethana ku Palestina nuk mund të ushtrojë juridiksion penal mbi shtetasit izraelitë (sipas) Akordeve të Oslos”.
Nga ajo kohë, Britania ka zgjedhur qeveri të re, e cila udhëhiqet nga Partia Laburiste dhe kryeministri Keir Starmer.
Zëdhënësi i kryeministrit britanik tha se kabineti i kaluar nuk e kishte dorëzuar propozimin para zgjedhjeve të 4 korrikut.
“Sa i përket paraqitjes në GjNP… mund të konfirmoj se qeveria nuk do ta ndjekë (propozimin) në vijë me pozicionin tonë të vjetër se kjo është çështje për të cilën duhet të vendosë gjykata” – u tha gazetarëve zëdhënësi qeveritar britanik.
Kryeministri izraelit kishte reaguar ashpër kundër kërkesës së prokurorit Khan për urdhërarrest për të. “Unë e refuzoj me neveri krahasimin e prokurorit në Hagë mes Izraelit dhe vrasësve masivë të Hamasit” – kishte thënë Netanyahu në maj.
Edhe Hamasi kishte dalë kundër kërkesës së Khanit për urdhërarreste për tri figura të grupit, duke thënë se prokurori po mundohej t’i “barazonte viktimën me ekzekutuesin”.