Britania dëshiron të shohë dëshmi që Sheikha Latifa, e bija e kryetarit të Dubait, është ende gjallë, pasi BBC-ja shfaqi një video ku ajo dëgjohet duke thënë se është duke u mbajtur e ngujuar kundër vullnetit të saj në një villë të barrikaduar, tha të mërkurën ministri britanik i Punëve të Jashtme.
“Është thellësisht shqetësuese dhe mund të shihni një grua të re në pikëllim të thellë”, tha kryediplomati britanik, Dominic Raab, shkruan Reuters.
Në videon e publikuar nga transmetuesi publik britanik, Latifa dëgjohet duke thënë: “Unë jam peng dhe kjo villë është shndërruar në burg.”
Ajo thotë se është duke incizuar video në banjon e villës, duke shtuar: “Të gjitha dritaret janë të mbyllura me dry, nuk mund të hap asnjë dritare.”
I pyetur se a do ta përkrahte shikimin e dëshmive nga Emiratet e Bashkuara Arabe se Latifa është gjallë, ministri Raab tha: “Duke marrë parasysh atë që sapo kemi parë, mendoj se njerëzit, thjesht në nivelin human, do të donin të shihnin që ajo është gjallë dhe mirë.”
Ai bëri të ditur se me këtë çështje po merren edhe Kombet e Bashkuara. “Kjo është diçka për të cilën ne qartazi jemi të shqetësuar, por Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara po e shikon këtë. Do të vazhdojmë ta përcjellim situatën”, shtoi diplomati britanik.
Sheikha Latifa mori vëmendje ndërkombëtare në vitin 2018, kur një grup për të drejtat e njeriut publikoi një video të publikuar prej saj, në të cilët e përshkruan përpjekjen për të ikur nga Dubai.