Britania e Madhe ka sanksionuar politikanët serbë të Bosnjës, Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq, për shkak të përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës.
Sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalesë në udhëtim, janë të parat kundër zyrtarëve në Bosnje, që bëhen të ditura nga Mbretëria e Bashkuar.
Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës.
Cvijanoviq është presidente e entitetit Republika Sërpska.
Pse BE-ja nuk po i sanksionon politikanët në Ballkanin Perëndimor?
‘Të inkurajuar nga sistemi i Rusisë për minim të rregullave ndërkombëtare, të dy individët kanë përdorur pozitat e tyre të autoritetit për të çuar përpara shkëputjen de facto të Republikës Sërpska – një prej dy entiteteve të Bosnje-Hercegovinës – në kundërshtim të plotë me kushtetutën e shtetit’, kanë bërë të ditur autoritetet britanike më 11 prill.
Duke reaguar ndaj sanksioneve, Dodik ka thënë se do të ndërpresë marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar.
Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Dodik ka thënë se nuk brengoset për sanksionet, pasi nuk ka asnjë pronë në Britani dhe se nuk ka qenë atje tash e 10 vjet.
Më 5 janar të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit ka vënë po ashtu sanksione ndaj Dodikut.
Departamenti amerikan i Thesarit pati thënë atëbotë se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien ‘për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes’.
Milorad Dodik, anëtar i presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.
Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990. /REL