Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj gjatë konferemcës së mbajtur ditën e sotme para mediave ka folur edhe në lidhje me ngjarjen ku u përfshi burri i ministres Delina Ibrahimaj. Vocaj u shpreh se ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar dhe se strukturat e hetimit kanë kryer proceduar. Ai më tej shtoi se materialet në lidhje me këtë çështje janë dërguar në prokurori, për veprën penale goditje për shkak të detyrës.
Vocaj lidhur me pyetjen e gazetarëve se policia ka pasur një mungesë transparence në lidhje me rastin u përgjigj duke thëne se ngjarja nuk futet te ngjarjet sensitive për të cilat policia duhet të japë njoftime për shtyp.
“Lidhur me këtë ngjarje, ngjarja është e vitit të kaluar. Lidhur me këtë ngjarje strukturat e hetimit të komisariatit nr.1. kanë kryer procedurat. Materialet janë çuar në prokurori, për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Është e vërtetë fakti se nuk është bërë e mundur që të kapte menjëherë autori i kësaj ngjarje. Lidhur me pyetjen tuaj se policia ka pasur një mungesë transparence, kjo ngjarje nuk futet te ngjarjet sensitive për të cilat policia jep njoftime për shtyp. Të gjitha materialet janë referuar në prokurori, dhe është prokuroria që po heton këtë çështje,”, tha ai.
Bashkëshorti i ministres, Andri Ibrahimaj plagosi pas një sherri drejtorin e ATK-së, Eri Koshaj por ngjarja nuk u raportua. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tefta Pashko”, pranë “Pazarit të Ri” në kryeqytet, në orët e mbrëmjes së datës 21 nëntor të vitit të kaluar. Andri Ibrahimaj i kishte zënë “pritë” Koshajt dhe pas përplasjes verbale, ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar në pjesën e shpinës, siç thuhet edhe në raportin mjekoligjor. Mësohet se Eri Koshaj nuk ka marrë trajtim mjekësor në spital, por në aktekspertimin mjekoligjor thuhet se ai ka marrë goditje nga një mjet prerës.