Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka insistuar se “Dardanët” është dashur ta mposhtin Gjeorgjinë në ndeshjen e luajtur në Prishtinë sonte.
Kosova pësoi me rezultatin 2:1 dhe ra në pozitën e fundit të Grupit B.
Challandes ka thënë se është tejet i zhgënjyer për ekipin që sipas tij e bëri një paraqitje të mirë, krijoi por nuk arriti të shënojë më shumë se një gol.
“Jam shumë i dëshpëruar për ekipin pas një ndeshje të tillë. Ne nuk mund ta humbnim këtë ndeshje, pasi paraqitje nuk ishte e keqe. Pas golit të parë, ekipi reagoi mirë dhe pati një lojë të bukur. Kemi pasur shumë situata deri në 25 metrat e fundit, që në këtë moment është problem ynë. Në pjesën e dytë ishim shumë dominues, u përpiqem por nuk arritëm të bëjmë më shumë. Duket se pasimi i fundit ishte ai që mungonte”, ka thënë Challandes. “Këtë herë nuk patëm aspak efikasitet, i cili po mungon në pasimin e fundit. Nëse bëjmë një ndeshje të tillë, asnjëherë nuk kam menduar se do ta humbnim. Por, futbolli është i tillë pas kundërshtari dy herë u fut në zonën tonë dhe shënoi dy gola. Duhet të pranoj, të marrë përgjegjësinë. Ekipi ka provuar por nuk ishte mjaftueshëm. Ne bëmë në përgjithësi futboll të mirë, por këtë herë nuk shënuam e as nuk ishim të rrezikshëm. Patëm pasime të mira, mbajtëm topin dhe luajtëm mirë. Nuk e gjetëm portën kundërshtare dhe normalisht kjo kushtoi”.
Challandes ka folur edhe për pozitën e fundit në grup por edhe për të ardhmen time duke insistuar se është i gatshëm të mbetet në krye të Kosovës.
“Për mua nuk është problem renditja në pozitën e pestë apo të katërt në tabelë. Ishte një grup i vështirë dhe për mua ishte e mundur që të kishim me tepër pikë, por problem për mua është se duhet ta fitonim ndeshjen e mirë. Shpresoj që mund ta fitojmë ndeshjen e ardhshme me Greqinë dhe të përgatitemi për Ligën e Kombeve”, tha Challandes. “Nuk jam në një pozitë perfekt si trajner. Unë tani për tani jam trajner nuk kam problem me ekipin e bëjë punën time. Ky nuk është vendimi im, pasi ndihem mirë me këtë ekip. E kam thënë në konferencë se na duhen rezultatet dhe këtë herë nuk kemi rezultate. Natyrisht, nuk do të jetë lehtë për të ardhmen time. Po e jap më të mirën, po e bëjë punën time dhe ky është një vendim i Federatës jo i imi. Jam i gatshëm për gjithçka, ta udhëheq ekipin për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve”.