Club Brugge është zyrtarizuar kampion i Belgjikës të premten, pasi Pro League e Belgjiës ka konfirmuar vendimin e muajit të kaluar për të ndërprerë kampionatin për shkak të koronavirusit. Këtë e ka bërë të ditur ky klub të premten pasdite.
Club Brugge kishte përparësi prej 15 pikëve në krye të tabelës, një xhiro pa përfunduar pjesa e rregullt. Ky klub e ka të garantuar vendin në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, edicionin e ardhshëm.
Është titulli i 17-të për Brugge dhe i treti në pesë vitet e fundit.
Belgjika ishte shteti i parë në Evropë që përfundoi edicionin, pak javë pas paraqitjes së koronavirusit. Por vendimi i marrë nga Bordi i Pro Leagues është dashur të ratifikohet nga klubet. Disa herë ishte shtyrë ratifikimi, por kjo është bërë të premten në asamblenë e përgjithshme.
Mediat belge kanë njoftuar se skuadra e fundit në tabelë, Waasland-Beveren do të largohet nga elita.