Nga Sue Reid / Daily Mail
Një qytezë e largët mes kodrave të Shqipërisë ka humbur kaq shumë banorë që kanë shkuar në Angli, saqë rrugët e saj tashmë janë virtualisht pa djem të rinj.
“Na kanë mbetur shumë pak. Ata jetojnë të gjithë me ju tani”, thotë për Daily Mail Liman Morina, kryebashkiaku i Hasit, një qytet i vogël tri orë e gjysmë larg Tiranës.
“Kanë ikur kaq shumë saqë tani ndihemi pjesë e Britanisë, sikur Mbretëresha juaj e ndjerë ishte Mbretëresha jonë”, shton në bisedën në zyrën e tij, ku mbi tavolinë ka një fotografi të Mbretëreshës Elizabeth II duke përshëndetur me dorë.
Javën e ardhshme, këshilltarët e Hasit pritet të miratojnë vendosjen e një statuje të Mbretëreshës pranë sheshit kryesor, financuar nga donacionet e emigrantëve në Britani.
Morina, ish-mësues 52-vjeçar, thotë: “Do të ngrihet në mes të qytetit me kërkesën time. Hasjanët do të paguajnë me paratë e fituara në Angli”.
Pas vdekjes së Mbretëreshës, ai organizoi një ditë zie në Has, e cila zuri vendin kryesor në televizionet shqiptare.
“Statuja e re është për ta nderuar atë, sepse gjatë mbretërimit të saj hasjanët nisën të shkonin në Angli dhe ajo iu dha mundësinë të gjenin punë e të ndërtonin një jetë të re nga hiçi”, shpjegon Morina.
Ai shpreh pakënaqësi për Ministren e Brendshme Suella Braverman. Reagon me zemërim për atë që e sheh si përshkrim emotiv të “pushtimit” nga imigrantët, shumica shqiptarë, që shkojnë në Britaninë e Madhe me varka trafikantësh përmes La Manshit.
Më shumë adoleshentë nga qyteti i tij se sa nga çdo pjesë e Shqipërisë kanë kaluar nga Franca në Angli përmes detit.
Morina thotë se ata nuk janë azilkërkues. “Prindërit i lejuan të shkojnë. Ata mendojnë se fëmijët e tyre do të ndërtojnë një jetë më të mirë në vendin tuaj. Është vendim ekonomik”, thotë.
Në kronikat e lajmeve për të rinjtë që mbërrijnë në Dover ai dallon fytyra të njohura nga Hasi.
“Por numri i shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk është asgjë krahasuar me madhësinë e vendit tuaj. Ka mjaftueshëm hapësira. Është diskriminim i pastër nga Ministrja e Brendshme kur thotë se ne po pushtojmë Anglinë dhe shkojmë atje vetëm për t’u përfshirë në krime”, shton.
“Ka disa persona nga Hasi që kanë kompani ndërtimi në Britani me të ardhura 50 milion paund në vit. Nuk e di se pse zonja Braverman bën të tilla komente diskriminuese ndaj nesh. Na duket raciste”.
Kryebashkiaku ka katër vëllezër që jetojnë në Leicester. Ai lutet që tre fëmijët e tij, dy vajza e një djalë midis 10 e 20 vjeç, të mos largohen edhe ata nga Hasi.
Një nga shkollat e mesme në qytet kishte 800 nxënës më 2016. Në fund të vitit shkollor të kaluar kishte vetëm 480. Pjesa tjetër janë në Britani. Gjatë pushimeve, edhe 60 të tjerë u larguan.
“Ka kaq pak sa që nuk mund të mos e vësh re. Eksodi i Hasit është nxitur nga mungesa e vendeve të punës. Nga pesë mijë banorë, vetëm 700 prej të rriturve kanë punë, 300 në sektorin publikë, si policë, shërbyes civilë apo mësues, që paguhen nga shteti”.
Banorët mbështeten fort në paratë që iu dërgojnë djemtë nga Anglia.
Në rrethinat e Hasit ngrihen vila të mëdha të ndërtuara me paratë e fituara në Britani.
Pronarët e tyre vijnë nga Anglia në verë me makina luksoze, për të kaluar pak javë në to.
Kryebashkiaku thotë: “Do të ishim edhe më keq sikur fëmijët të mos u dërgonin pará prindërve, vëllezërve e motrave. Mbi 8 në 10 familje varen nga kjo. Edhe ata që janë në punë fitojnë aq pak saqë kanë nevojë për ndihmën e fëmijëve në Angli”.
Më pas shton gjithë respekt: “Prandaj po e ngremë statujën e Mbretëreshës, për ta falënderuar për mundësinë e dhënë”.