TIRANË, 31 janar/ATSH/ Qeveria ka hedhur për konsultim publik “Strategjinë Kombëtare të Agroturizmit”, një plan i detajuar me masa e aktivitete për forcimin e njësive agroturistike, drejt zhvillimit rural të qëndrueshëm.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cilësoi lajm të mirë për sektorin e agroturizmit.
“Përmes kësaj strategjie shkojmë drejt objektivit tonë të më shumë se 1000 njësive agroturistike deri në vitin 2030. Ndërtojmë një qasje të integruar të kohezionit territorial përmes zhvillimit të prodhimit, punësimit cilësor të të rinjve, zinxhirëve të shkurtër të vlerës dhe fuqizimin e produkteve tradicionale, si vlerë e identitetit të zonave rural”, u shpreh Denaj.
Kjo strategji është një dokument i qeverisë shqiptare që synon përkufizimin e vizionit kombëtar lidhur me sektorin e agroturizmit, ndër të tjera përmes zhvillimit të bujqësisë nga një pikëpamje shumëdimensionale dhe valorizimit të produkteve bujqësore vendase. Si rrjedhojë, ky dokument politik parashtron objektivat e përgjithshme dhe të posaçme, si dhe masat për zbatimin e tyre, përmes një sistemi zbatimi dhe matjeje që do të mundësojë, me kalimin e kohës, verifikimin e arritjes së objektivave të identifikuara.
Strategjia ka identifikuar dy prioritetet strategjike bashkë me objektivat specifike përkatëse: përmirësimi i ofertës së agroturizmit të certifikuar dhe ruajtja e kapitalit vendas dhe njerëzor përmes zhvillimit të qëndrueshëm.
Shqipëria është një vend i përshtatshëm për zhvillimin e agroturizmit, falë atraksioneve të shumta turistike që ajo ka (pra burimeve natyrore dhe antropogjene), si dhe falë burimeve bujqësore. Sikurse tregohet më lart, bujqësia dhe turizmi janë aktualisht dy sektorë mjaft të rëndësishëm dhe me prioritet për zhvillimin e ardhshëm socio-ekonomik afatgjatë.
Prandaj, strategjitë që krijojnë mundësi zhvillimi që ndërlidhin këta dy sektorë të rëndësishëm janë padyshim thelbësore. Për ta përmbledhur, agroturizmi është një mjet që mund të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm rural në përgjithësi, e veçanërisht në zonat e marxhinalizuara
Politikëbërja në nivel qendror dhe vendor ka treguar se bujqësia dhe turizmi janë prioritetet e zhvillimit socio-ekonomik të qëndrueshëm dhe afatgjatë të Shqipërisë.