Detajet e vrasjes së presidentit të Haitit

albnews
By
12 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Zyrtarët kolumbianë kanë thënë se grupi u rekrutua nga katër kompani dhe udhëtoi në vendin e vogël të Karaibeve në dy grupe më të vogla që udhëtuan përmes Republikës Dominikane. Ushtarët kolumbianë të stërvitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkohen nga firmat private të sigurisë dhe nga ushtritë mercenare nëpër zona të luftës. Ata angazhohen për shkak të përvojës së madhe në beteja kundër ekstremistëve majtistë dhe karteleve të fuqishme të drogës.

Qeveria e përkohshme e Haitit ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të angazhojë ushtrinë për të mbrojtur infrastrukturën kryesore teksa po tenton ta stabilizojë vendin dhe të përgatitet për organizimin e zgjedhjeve të reja pas vrasjes së presidentit Jovenel Moïse.

“Ne patjetër që kemi nevojë për ndihmë dhe këtë e kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Claude Joseph. “Ne besojmë se partnerët tanë mund ta ndihmojnë policinë kombëtare që ta zgjidhin situatën”.

Kërkesa e befasishme për mbështetjen ushtarake amerikane kthen prapa në kohën e trazirave pas vrasjes së presidentit të Haitit në vitin 1915. Një turmë e njerëzve e tërhoqi zvarrë presidentin Vilbrun Guillaume Sam nga Ambasada franceze dhe e rrahu për vdekje. Si reagim ndaj vrasjes së tij, presidenti Woodrow Wilson dërgoi marinsat në Haiti, duke arsyetuar pushtimin amerikan – i cili zgjati gati dy dekada – si një mënyrë për të shmangur anarkinë.

Mirëpo administrata e Bidenit ka refuzuar të ofrojë ndihmë ushtarake, me arsyetimin se nuk është momenti për një gjë të tillë. Ka premtuar se do të dërgojë zyrtarë të FBI-së për të ndihmuar në hetimet për vrasjen e presidentit që ka zhytur Haitin në një kaos për pushtet dhe bllokadë kushtetuese.

Të premten, një grup deputetësh deklaruan besnikërinë e tyre ndaj Joseph Lambertit, kryetar i senatit të shpërbërë të Haitit, si president i përkohshëm në periudhën sfiduese ndaj autoritetit të qeverisë së përkohshme. Ata gjithashtu e pranuan si kryeministër Ariel Henryn, të cilin Moïse e kishte zgjedhur për ta zëvendësuar Josephin një ditë para se të vritej, por që ende nuk e kishte marrë detyrën për formimin e qeverisë.

Josephi shprehu tronditjen që të tjerët po përpiqeshin të përfitonin nga vrasja e Moïses-it për ngritje politike.

“Nuk jam i interesuar në betejë politike”, ka thënë Joseph, i cili vazhdoi lidershipin me përkrahjen e policisë dhe ushtrisë. “Ka vetëm një mënyrë për t’u bërë president në Haiti. Dhe kjo është përmes zgjedhjeve”.

Paqartësi të shumta

Josephi ka folur teksa detajet e vrasjes vetëm sa po bëhen më të paqarta, komplot ndërkombëtar që përfshin një aktor të Hollywoodit, shkëmbim zjarri me njerëz të armatosur të ngujuar brenda një ambasade të huaj dhe një firme private të sigurisë që operon nga një depo në Miami.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy amerikanë të Haitit. Njëri ka punuar me aktorin Sean Penn pas tërmetit shkatërrues të vitit 2010. Policia gjithashtu ka arrestuar ose vrarë disa prej pjesëmarrësve të cilët i ka quajtur “mercenarë”. Shumica e tyre ish-pjesëtarë të ushtrisë së Kolumbisë.

Disa prej të dyshuarve u kapën gjatë bastisjes së Ambasadës së Tajvanit, në të cilën organizatorët e vrasjes së presidentit të Haitit kishin kërkuar strehim. Shefi i Policisë Kombëtare të Haitit, Léon Charles, ka thënë se tetë të dyshuar të tjerë janë në arrati.

Në sulmin që ndodhi në shtëpinë e Moïse-s para agimit të së mërkurës, u plagos bashkëshortja e tij, e cila është dërguar në Miami për trajtim. Joseph ka thënë se ka folur me zonjën e parë, mirëpo për shkak të respektit ndaj zisë së saj, nuk e ka pyetur për ngjarjen e së mërkurës.

Zyrtarët kolumbianë kanë thënë se grupi u rekrutua nga katër kompani dhe udhëtoi në vendin e vogël të Karaibeve në dy grupe më të vogla që udhëtuan përmes Republikës Dominikane. Ushtarët kolumbianë të stërvitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkohen nga firmat private të sigurisë dhe nga ushtritë mercenare nëpër zona të luftës. Ata angazhohen për shkak të përvojës së madhe në beteja kundër ekstremistëve majtistë dhe karteleve të fuqishme të drogës.

Të gjithë të angazhuarit për aksionin e vrasjes së presidentit të Haitit, pak ditë më parë kishin shpërndarë fotografi në Facebook. Në këto fotografi shiheshin duke vizituar vendet e ndryshme turistike në Republikën Dominikane.

Motra e një prej të dyshuarve të vdekur, Duberney Capador, ka dëshmuar se për herë të fundit foli me vëllanë në orët e vona të së mërkurës, pak orë pas vrasjes së presidentit Moïse. E mori në telefon kur u rrethuan nga policia dhe ishin përpjekur që të iknin gjatë shkëmbimit të zjarrit.

“Ai më tha të mos i tregoja nënës sonë, në mënyrë që ajo të mos shqetësohej”, ka thënë Yenny Capador.

Plani i mercenarëve

Nuk dihet se kush është mjeshtri i këtij sulmi. Ndërkaq ende shtrohen pyetje se si grupi i mercenarëve arriti të hynte në rezidencën e presidentit, duke u paraqitur si agjentë të Administratës amerikane kundër drogës (DEA), duke hasur në rezistencë të vogël nga personat përgjegjës për mbrojtjen e presidentit.

Capador ka thënë se vëllai i saj, i cili u tërhoq nga ushtria kolumbiane në vitin 2019 me gradën rreshter, u punësua nga një firmë private e sigurisë me premtimin se do të siguronte mbrojtje për individë të fuqishëm në Haiti.

Ajo ka dëshmuar se nuk dinte asgjë për kompaninë në të cilën u angazhua i vëllai, por ka treguar një fotografi të tij me uniformë në të cilën figuronte edhe logoja “CTU Security”, një kompani e panjohur me bazë në Doral të Miamit, lagje e populluar me refugjatë kolumbianë.

Bashkëshortja e Francisco Uribes, i cili është në mesin e të arrestuarve, ka thënë se kompania e sigurimeve u ofroi nga 2 mijë e 700 dollarë në muaj – shumë e vogël për një mision të rrezikshëm ndërkombëtar, por shumë më e lartë krahasuar me pensionin që e fitonin shumica e ish-ushtarakëve.

Uribe është nën hetim për rolin e tij në vrasjen e një civili të paarmatosur në vitin 2008, të cilin ai u përpoq të paraqiste si person të vrarë në luftime, një arsyetim për një mori vrasjesh jashtë juridiksionit të tyre që para një dekade tronditi ushtrinë e stërvitur në SHBA.

“CTU Security” u regjistrua në vitin 2008 dhe drejtor ka Antonio Intriago, i cili është gjithashtu i lidhur me disa subjekte të tjera të regjistruara në Florida, disa prej tyre të shuara, përfshirë Akademinë Federale të Njësisë Kundër Terrorizmit, Këshillin Kombëtar Amerikan të Venezuelës dhe Doral Food Corp.

Uebfaqja e CTU-së rendit dy adresa, njëra prej të cilave ishte një depo me ngjyrë të hirtë që të premten ishte e mbyllur dhe nuk shfaqte asnjë shenjë se kujt i përkiste. Tjetra ishte një suitë e vogël nën emrin e një kompanie tjetër në një ndërtesë zyrash moderne disa blloqe më larg. Një recepsionist në zyrë ka thënë se Intriago ndalet çdo disa ditë për të kontrolluar postën dhe për të mbajtur takime.

“Ne jemi më të interesuar për të sqaruar atë që ka ndodhur, në mënyrë që reputacioni i vëllait tim të mos mbetet i tillë”, ka thënë Capador. “Ai ishte një njeri i përulur, dhe punëtor. Ai kishte nderime dhe dekorata”.

Dy shtetasit amerikanë

Përveç kolumbianëve, në mesin e të arrestuarve nga policia janë edhe dy haitianë me shtetësi amerikane.

Gjykatësi hetues Clément Nowl ka thënë se shtetasit e arrestuar amerikanë, James Solages dhe Joseph Vincent, kanë dëshmuar se sulmuesit fillimisht kishin planifikuar vetëm arrestimin e Moïset dhe jo vrasjen e tij. Noël ka thënë se Solages dhe Vincent po vepronin si përkthyes për sulmuesit.

Solages, 35 vjeç, e përshkroi veten si “agjent i certifikuar diplomatik”. Për një kohë të shkurtër punoi si ngasës dhe truprojë në një organizatë të themeluar nga aktori Penn pas tërmetit që la të vdekur më shumë se 300 mijë haitianë dhe la pa shtëpi mijëra të tjerë. Ai gjithashtu ka renditur si punëdhënës ambasadën kanadeze në Haiti. Llogaria e tij në Facebook që ishte e kërkuar pas lajmit për arrestimin e tij, përmban fotografi të automjeteve të blinduara ushtarake dhe një fotografi tjetër duke qëndruar përpara flamurit amerikan.

Një i afërm në Florida ka thënë se Solages nuk ka qenë i stërvitur nga ushtria dhe se nuk beson që është i përfshirë në vrasje.

Joseph nuk ka pranuar të drejtojë gishtin te ndonjë sulmues, por ka thënë se presidenti Moïse kishte shumë armiq për shkak se sulmonte oligarkët e fuqishëm që për vite me radhë kanë përfituar nga kontratat shtetërore.

Disa prej këtyre njerëzve elitë janë në fokusin e hetimeve. Autoritetet kanë kërkuar që kandidati presidencial dhe biznesmeni i njohur Reginald Boulos dhe ish-kryetari i Senatit, Youri Latortue, të takohen me prokurorët për intervistim. Deri të shtunën asnjëri prej tyre nuk është akuzuar apo arrestuar në lidhje me vrasjen e presidentit.

Analistët kanë thënë se kushdo që e organizoi sulmin e tmerrshëm ka të ngjarë të ketë lidhje me nëntokën që ka lulëzuar në vitet e fundit për shkak të korrupsionit dhe trafikut të madh të drogës. Edhe para vrasjes së Moïse, Port-au-Prince ishte gati nën kontroll nga bandat e fuqishme që gjatë muajit qershor zhvendosën 14 mijë njerëz teksa dogjën dhe plaçkitën shtëpitë në një luftë mbi terrorin.

Prokurorët gjithashtu duan të marrin në pyetje anëtarët e sigurisë së Moïset, duke përfshirë koordinatorin e sigurisë së presidentit, Jean Laguel civil dhe Dimitri Hérard, kreun e Njësisë së Përgjithshme të Sigurisë së Pallatit Kombëtar.

“Nëse jeni përgjegjës për sigurinë e presidentit, ku keni qenë?”, u citua prokurori i Port-au-Prince Bed-Ford Claude. “Çfarë bëtë për të shmangur këtë fat për presidentin?”.

Share This Article